Rama: Ata duan të marrin peng drejtësinë

schedule18:44 - 13 Qershor, 2019

schedule 18:44 - 13 Qershor, 2019

Gjatë takimit elektoral në Përrenjas, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie, kryetari i Partisë Socialiste deklaroi se opozita do t’i marrë peng zgjedhjet për të marrë peng drejtësinë. Kjo çështje sipas tij bën që të mos hapen negociatat, ku shqyrtohen dy kapitujt e parë të saj që kanë të bëjnë me drejtësinë.

“Ata në fakt zgjedhjet duan t’i marrin peng për të marrë peng drejtësinë duke shkaktuar një zallamahi aq të madhe sa miqtë dhe partnerët tanë europianë të thonë “jo me këtë vend nuk hapen negociatat, sepse shikojeni ku vend është rrëmujë”. Duke mos u hapur negociatat nuk hapen dy kapitujt e parë të bashkëbisdeimit që janë kapitujt e drejtësisë. Historia e integrimit tregon që kapitujt e drejtësisë kur vendosen në tryezë të negociatave nuk janë thjesht çështje ligjesh në letra, por janë çështje funksionimi të sistemit. Duke çelur kapitujt e drejtësisë me hapjen e negociatave kalojmë në fazën e reformës në drejtësi dhe procesi i pastrimit që ka sjellë Vettingut duhet të përkthehet në gjykime dhe ndëshkime që nga më i gjati deri te më i shkurtri, që nga më i madhe te më i vogli pa dallim, që të realizojmë synimin tonë, vendosjen e barazisë para ligjit”, tha Rama.

Rama komentoi edhe një deklaratë të këshilltarit ligjor të Presidentit Meta në lidhje me konsultimet për datën e re të zgjedhjeve. Sipas kryeministrit, 30 Qershori është vendosur përfundimisht si dita kur do të zhvillohen zgjedhjet.

“Po vinim dhe më tha Taulanti që presidenti kishte nxjerrë ca ekspertë që paskërkeshin thënë që ai po shikon mundësin për një datë tjetër dhe derisa ai të vendosë datën tjetër kryetarët e bashkisë do rrinë nëpër zyra. Tjetër pjellë e imagjinatës së dalë nga kontrolli për të çuar vijën e konfliktit matanë 30 Qershorit sepse 30 Qershori është vulosur përfundimisht dhe nuk e ndalon dot as Iliri, as Saliu dhe artisti me fallxhoren jo e jo. Katër aventurierë të bashkuar dhe një tufë qorrash në udhëheqjen e atij grupimi politik të lidhur nga halli i madh edhe paniku nga reforma në drejtësi nuk na ndalojnë dot që të ecin përpara. Pavarësisht se na pengojnë, pavarësisht se nuk kanë lënë dhe nuk do lenë dy gurë bashkë ata jo që nuk djegin Shqipërinë, por do digjen në sytë e shqiptarëve siç e kanë merituar dhe siç e meritojnë në çdo hap që hedhin sepse nuk e kanë me mua, nuk e kanë me ne. E kanë me Shqipërinë në BE”, u shpreh ai.

Në fund, kryetari i qeverisë e mbylli me një këshillë ndaj presidentit.

“Dua t’i them Ilirit, sot e filluam me të, po vazhdojmë me të që ta lexojë me qetësi dhe kthjelltësi rezolutën e miratuar sot me 100 vota. Të reflektojë mbi opinionin e përfaqësisë më të lartë të popullit sovran dhe të mos e trashë më tutje zullumin që është këputur për sa na takon dhe për sa i takon popullit shqiptar sepse populli shqiptar dhe ne që thjesht po bëjmë detyrën duke u paraqitur për të marrë atë që populli do të na japë, nuk ka shans të merren peng. E di që, ai është në pozitë të vështirë por nuk është as burrëri, nuk është as trimëri dhe as zgjuarsi që të mos reflektojë dhe të kërkojë dhe ndjesë sepse nuk ka bërë një gabim, ka bërë një faj ndaj Shqipërisë. Pavarësisht se ndjesa nuk e lan një faj të madh normalizon raportin e tij me fajin. Nuk është pak, çdo hap më tej alla-Sali, nuk ndihmon dhe ngarkon edhe më shumë atë vetë, ngarkon edhe më shumë një situatë që e kanë shkaktuar ata me qëllim dhe nga e cila ne të jeni të sigurt do dalim jo pa vështirësi sepse të bësh zgjedhje kur kundërshtarët nuk vijnë përballë, por përpiqen të krijojnë situata të vështira s’është e lehtë. Ata i bërtasin frikës së tyre. Duan të trembin frikën. Nga frika e tyre ata do treten dhe do i shikoni pas 30 Qershorit ato koka boshe të lidhura në fillin e tespijeve të plakut Sali se si do shpërndahen kokrra-kokrra njësoj si tespijet e plakut Mere”, tha ai./abcnews.al