Radha e firmës, Alban Hoxha nuk e tradhton Partizanin

schedule11:20 - 15 Qershor, 2020

schedule 11:20 - 15 Qershor, 2020

Shumë zhurmë për asgjë. Alban Hoxha, i cili dje ishte në stol në ndeshjen që Partizani e fitoi 8-1 kundër Luftëtarit, ka nënshkruar kontratën e re me të kuqtë. Raportohet se portieri është takuar me presidentin Gaz Demi dhe është arritur marrëveshja edhe për sezonin ardhshëm. Kontrata aktuale i përfundonte më 30 qershor.

“Arrihet marrëveshja. Alban Hoxha do të qëndrojë me Partizanin për të paktën edhe 1 vit. Kapiteni dhe portieri i Partizanit ka arritur marrëveshjen me presidentin Gaz Demi. Ofertat nuk munguan për të, por Partizani mbetet mbi të gjithë”, shkruan Procesi Sportiv.

ÇFARË THA OLSI RAMA – Një ditë më parë, në lidhje me kapitenin e të kuqve, drejtori Olsi Rama u shpreh: “Albani është lojtari më i vjetër i ekipit. Padiskutim është pjesë e planeve tona për të vazhduar më tej. U kam folur djemve dhe u kam thënë që ka disa lojtarë që kanë ende kontratë me Partizanin.

U kam thënë që edhe për ata 2 muajt e ardhshme janë vendimtare për të ardhmen. Janë marrëdhënie burrnore, duke u bazuar jo vetëm te kontrata, por edhe te respekti reciprok. Alban Hoxhën unë e kam parë edhe të Kombëtarja, te Tirana nuk e di. Unë mendoj që Alban Hoxha të ardhmen do e ketë te Partizani”. /abcnews.al