I dërguari i Donald Trump për misione speciale dhe ish emisari i Uashingtonit për dialogun Kosove Serbi, Richard Grenell sulmoi sërish Albin Kurtin pas deklaratave të tij një ditë më parë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA nuk kanë qenë ndonjëherë më të mira sesa gjatë qeverisjes së tij.
Teksa e cilësoi një njeri delirant, Grenell tha se Albin Kurti është kryeministri që është dënuar e kritikuar nga administrata e Joe Biden, nga administrata e Donald Trump por edhe nga NATO dhe BE.
Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në emisionin “Ballkan Update”, tha se qëndrimi i Grenell është qëndrim zyrtar i administratës së Donald Trump ndaj kryeministrit të Kosovës. Sipas tij, ajo që tregohet është se pavarësisht administratës, qëndrimi amerikan ndaj qeverisjes së Kurtit është kritike dhe dënuese.
“Qëndrimi i Grenell që është koherent dhe konsistent. Ai thotë atë që është thënë nga të dyja administratat. Qëndrimi amerikan ndaj qeverisjes Kurti, pavarësisht administratës, është kritike dhe dënuese. Ajo që duhet mbajtur parasysh është se si është reflektuar në skenë politike kosovare. Meqenëse ka një pjesë që besojnë se pozicioni i Grenell mund të rrisë artificialisht Kurtin në fushatë për shkak të reputacionit të Grenell, atëherë qëndrimin e tij e ka ndarë edhe djali i Trump. Nuk ka asnjë dyshim se ky është qëndrim zyrtar i SHBA, i administratës Trump dhe çka është më e rëndësishme është që ky qëndrim në kohë zgjedhore, është parathënëse që SHBA nuk dëshiron që Kurti të rritet elektoralisht. Pasoja tjetër çka mund të nxjerrin nga ky qëndrim i vazhdueshëm kritik i zotit Grenell është se Grenell nuk është figurë që mban këto qëndrime nga pozicione private, siç duan ta kreditojnë dikush në Prishtinë. Është dikush që ka zyrën ngjitur me Trump. Qëndrimi i Grenell është qëndrim zyrtar. Dua të besoj se ata nuk do të ngelen me fjalë në çdo lloj ekuacioni zgjedhjesh në Kosovë, por do të ketë edhe veprime.”, u shpreh Nazarko.
Ndërkohë, duke komentuar qëndrimin e Kurtit, Nazarko tha se tregon drojë dhe frikë. Sipas tij, kjo reflektohet edhe në faktin se Kurti ka shprehur konsiderata për marrëveshjen e Uashingtonit.
“Në qëndrimin e Kurtit ka drojë dhe frikë të arsyeshme sepse këtë analizë që bëj unë e bën edhe ai. E kupton që qëndrimi i Grenell kur nuk ka të ngarkuar me Ballkanin në Departament të Shtetit, është zyrtar dhe unik! Përfaqëson Shtëpinë e Bardhë! Por me qëndrimin e tij nuk ka as përplasje, as referenca nominale madje ka edhe hedhje urash për bashkëpunim. Kur Kurti thotë se do të blejmë helikopterë nga SHBA si pjesë e një narrative se ndaj komshiu të keq duhen armë të mira, do të krijojë idenë se do të bëjë biznes me Departamentin e Mbrojtjes. Kurti e ka demonstruar drojen dhe frikën edhe me faktin se ka shprehur konsiderata jo kritike ndaj marrëveshjes së Uashingtonit. Nuk është marrëdhënie ku Kurti është duke bërë trimin. Ai po mban qëndrim të matur. Madje edhe njerëzit afër tij kanë treguar kujdes në reagimin ndaj deklaratave të Grenell.”, tha Nazarko./abcnews.al