Putini nuk i ka punët mirë dhe kjo më frikëson shumë

schedule12:21 - 9 Mars, 2022

schedule 12:21 - 9 Mars, 2022

Thomas Friedman – The New York Times

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Nëse shpresoni që paqëndrueshmëria që lufta e Vladimir Putinit kundër Ukrainës ka shkaktuar në tregjet dhe gjeopolitikën globale ka arritur kulmin, atëherë po shpresoni kot. Nuk kemi parë ende asgjë. Prisni derisa Putini ta kuptojë plotësisht se zgjedhja e tij e vetme është të pranojë luftën e humbur në Ukrainë.

Askujt nuk ia mer mendja se çfarë mund të ndodhë dhe çfarë pasojash do të ketë nëse  Rusia prodhuesi më i madh i naftës në botë dhe që posedon rreth 6000 koka bërthamore humbet luftën në Ukrainë.

Pothuajse të gjitha disfatat kanë rezultuar në ndryshime rrënjësore.

Lufta e Krimesë (1853-1856) nxiti revolucionin liberal të perandorit Aleksandër II.

Lufta Ruso-Japoneze (1904-1905) solli Revolucionin e Parë Rus.

Katastrofa e Luftës së Parë Botërore rezultoi në abdikimin e Perandorit Nikolla II dhe Revolucionin Bolshevik.

Dhe lufta në Afganistan u bë një faktor kyç në reformat e liderit sovjetik Mikhail Gorbachev.

Gjithashtu, tërheqja nga Kuba kontribuoi ndjeshëm në largimin e Nikita Hrushovit dy vite më vonë.

Gjatë javëve të ardhshme do të bëhet gjithnjë e më e qartë se problemi ynë më i madh me Putinin në Ukrainë është se ai do të refuzojë humbjen. Por për shkak se kjo është vetëm lufta e tij dhe ai nuk mund ta pranojë humbjen, ai mund të vazhdojë të dyfishojë forcat ushtarake deri në përdorimin e armëve bërthamore, raporton abcnews.al

Pse mendoj se humbja në Ukrainë është opsioni i vetëm i Putinit, se vetëm koha dhe numri i humbjeve është në pikëpyetje?

Sepse pushtimi i lehtë dhe me kosto të ulët që ai parashikoi dhe rezistenca nga ukrainasit ishte përtej pritshmërive të tij.

Putini nënvlerësoi plotësisht vullnetin e Ukrainës për të qenë e pavarur dhe për t’u bërë pjesë e Perëndimit.

Ai nënvlerësoi plotësisht vullnetin e shumë ukrainasve për të luftuar. Ai i mbivlerësoi plotësisht forcat e tij të armatosura. Ai nënvlerësoi plotësisht aftësinë e Presidentit Biden për të galvanizuar një koalicion global ekonomik dhe ushtarak për t’u mundësuar ukrainasve të qëndrojnë dhe të luftojnë dhe të shkatërrojnë Rusinë – përpjekja më efektive e SHBA-së për ndërtimin e koalicionit që kur  George H.W. Bush e detyroi Sadam Huseinin të paguante për marrëzinë e tij të pushtimit të Kuvajtit.

Dhe ai nënvlerësoi plotësisht aftësinë e kompanive dhe individëve në të gjithë botën për të vendosur sanksione ekonomike kundër Rusisë – shumë përtej çdo gjëje që qeveritë mandatuan.

Sigurisht kur gaboni në kaq vendime, alternativa juaj si udhëheqës është të keni sa më pak humbje. Në rastin e Putinit, kjo do të nënkuptonte tërheqjen e menjëhershme të forcave të tij nga Ukraina dhe duke premtuar se do të ndihmojë ata të rindërtojnë vendin.

Por poshtërimi do të ishte me siguri i patolerueshëm për këtë njeri të fiksuar pas rivendosjes së dinjitetit dhe unitetit të asaj që ai e sheh si atdheun rus.

Pavarësisht mënyrës se si po zhvillohet lufta, nuk është jashtë sferës së mundësisë që Putini mund të humbasë shumë nga ushtarët e tij. Shumë ukrainas kanë humbur jetën deri më tani, kush e di se çfarë po ndodh me shpirtin luftarak të rekrutëve në ushtrinë ruse që u kërkohet të zhvillojnë një luftë vdekjeprurëse kundër sllavëve të tjerë.

Duke pasur parasysh rezistencën e ukrainasve ndaj pushtimit rus, që Putini të “fitojë” ushtarakisht në terren, ushtrisë së tij do t’i duhet të nënshtrojë çdo qytet të madh në Ukrainë. Kjo përfshin kryeqytetin, Kievin. Me pak fjalë, kjo mund të bëhet vetëm nga Putini dhe gjeneralët e tij që kryejnë krime lufte që nuk janë parë në Europë që nga Hitleri.

Kjo do ta bëjë Rusinë e Putinit një pari të përhershme ndërkombëtare. Për më tepër, si do të ruante Putini kontrollin e një vendi tjetër – Ukrainës  që ka afërsisht një të tretën e popullsisë së Rusisë, me shumë banorë armiqësorë ndaj Moskës?

Ai ndoshta do të duhet të vendosë çdo një nga mbi 150,000 ushtarët që ka grumbulluar atje, ndodhta përgjithmonë. Thjesht nuk ka asnjë rrugë që unë shoh që Putini të fitojë në Ukrainë,  sepse Ukraina nuk është vendi që ai ka menduar se është.

Një vend që me taktikën e nazistëve mund të bjerë sërish në gjirin nënës Rusi.

Pra ose Putin duhet të heqë dorë nga Ukraina duke i shpëtuar sanksioneve për të ringjalluar ekonominë ruse ose do të përballet me një luftë të përhershme kundër Ukrainës dhe pjesës më të madhe të botës, e cila ngadalë do të shkatërrojë forcën e Rusisë dhe do ta rrëzojë atë.

Ka më keq se një “Rusi e fortë” dhe ajo është një Rusi e dobët, e poshtëruar që mund të shkatërrohet nga trazirat e brendshme, me fraksione të ndryshme që luftojnë për pushtet. Rusia e Putinit nuk është aq e fuqishme sa mos të dështojë.

Megjithatë, është shumë e fuqishme për të dështuar në një mënyrë që nuk do të trondisë pjesën tjetër të botës.

/abcnews.al