PS merr 70 % të këshilltarëve, Doshi forcë e dytë

schedule19:45 - 7 Korrik, 2019

schedule 19:45 - 7 Korrik, 2019

Veç drejtimit të 60 bashkive të vendit, Partia Socialiste ka arritur të fitojë 70 % të mandateve të këshillave bashkiakë. ACB News ka siguruar të gjitha të dhënat zyrtare të KQZ për parlamentet lokalë, ku forcë e dytë rezulton partia e Tom Doshit, ndërsa alternativa opozitare, Bindja Demokratike, ka siguruar vetëm 1.5 % të vendeve në këshilla.

60 kryebashkiakët e zgjedhur nën logon e Partisë Socialiste, nuk do të kenë probleme në menaxhimin e pushtetit të tyre lokal, kjo pasi selia rozë ka arritur të sigurojë shumicë dërrmuese të këshillave bashkiakë në cdo bashki të vendit. Sipas të dhënave zyrtare që ABC News ka siguruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se Edi Rama ka  fituar 70 % të mandateve lokale.

Në mbarë vendin janë zgjedhur 1 619 këshilltarë, nga të cilët 1 136 i ka fituar Partia Socialiste. Në dy bashki, në Delvinë dhe Konispol, PS i ka fituar 100 % të karrigeve të këshilltarëve.

Bindja Demokratike nuk ka bindur. Alternativa kryesore opozitare përballë Edi Ramës ka arritur të sigurojë vetëm 24 mandate këshilltarësh, që përbëjnë 1.5 % të totalit.

Nga të dhënat rezulton se Partia e dytë në rang kombëtar, pas sociaslitëve të jetë partia Social Demokrate, që pas tërheqjes së Gjinushit, praktikisht drejtohet nga deputeti Tom Doshi. Kjo parti ka siguruar 81 mandate, ose 5 % të totalit.

Numrin më të lartë të këshilltarëve, kjo parti e ka në Shkodër dhe Vaun e Dejës, zona ku Doshi ushtron dhe influencën e tij më të madhe politike.

Partia e tretë, që ka vetëm 2 mandate më pak se sa partia e Doshit, është Demokracia Sociale e Paskal Milos. Kjo parti ka fituar 79 mandate, ose 4.8 % të totalit, e cila një shtrirje me 1-3 mandate në mbarë vendin.

Me këto shifra PS do ta ketë të lehtë të garantojë shumicën në këshillat bashkiakë, një element i domosdoshëm që kryetarët të mund të kalojnë buxhetet apo projektet e debatueshme.

MANDATE NË MBARË VENDIN 1619 100%

PARTIA SOCIALISTE 1136 70%

BINDJA DEMOKRATIKE 24 1.5 %

PARTIA SOCIALDEMOKRATE 81 5 %

PARTIA DEMOKRACIA SOCIALE 79 4.8 %/ABC News Albania 24/7