Provokacija/ Nano: Vajzat që zhvishen nuk kanë përse të vlerësohen për këtë fakt

schedule20:38 - 23 Nëntor, 2018

schedule 20:38 - 23 Nëntor, 2018

“Para ca muajsh, nëpërmjet një monologut tim, unë u mora me vajzat që, për të arritur suksesin, zhvishen e ekspozojnë trupin e tyre në televizion. Asëll-asëll, u mora me hiperseksualizimin e mjedisit publik. Sepse ky ishte në thelb shqetësimi im në atë kohë. Hiperseksualizimi. Por askush nuk e mori atë opinion timin për atë që ishte. E morën për atë që donin. Dhe mbetën tek emri i një moderatoreje televizive, të cilën unë e përmenda për të ilustruar tezën time. Dhe e shitën të tërën si një debat mes meje dhe asaj. Madje, Alban Dudushi donte të organizonte edhe një ballafaqim timin me atë moderatore në studion e vet. Unë i thashë “jo”, kuptohet, pasi më rezultonte që Albani nuk e kish kuptuar shqetësimin tim. Ai e kishte marrë monologun tim si një gërricje timen, dhe aq, gjë që e bënë të gjithë njerëzit e cekët të vendit. Dhe Albani, a thua se i kish vënë vetes për qëllim të më zhgënjente mua pa kthim, bëri edhe një të pabërë tjetër. E bëri debatin mbi atë temë, por kish ftuar, për t’u hakmarrë për refuzimin që unë i bëra, edhe dikë që të hidhte llum mbi mua. Dhe vetë bënte sehir. Hëm! Unë nuk e di nëse Albani e di që unë nuk do ta bëja kurrë atë që bëri ai. As ndaj tij, as ndaj dikujt tjetër.

Por po rindalem tek ideja që kam shprehur. Diskutimi mbi hiperseksualizimin është kompleks për më shumë se një arsye (jam marrë me këtë gjerë e gjatë në librin tim Provocateur), por unë po ndalem tek njëra në mënyrë të veçantë. Në ka një gjë në këtë botën e sotme që e nxit maskilizmin e seksizmin, e që e përqesh barazinë mes gjinive si një arritje apo si një objektiv, kjo gjë është hiperseksualizimi i mjedisit publik. Thënë me fjalë më të varfëra, kjo gjë janë vajzat e zhveshura që na shfaqen kudo, në kopertina revistash, në studio televizive, në spote publicitare, në skena koncertesh, në rrjetet sociale, deri edhe në filmat multiplikativë, që shihen nga fëmijët e vegjël. Ju ka qëlluar të shihni filma me kartona që janë prodhuar për një audiencë të moshave fare të njoma? Në disa prej tyre, personazhet femra, që janë gjithashtu vajza të vogla, paraqiten me gjinj të hedhur, me të ndenjurat e kërcyera, me buzë të fryra, e në përgjithësi me pamje sensuale. Jemi duke u kallur fëmijëve tanë që në moshë të njomë idenë se ato nuk janë gjë tjetër, veçse objekte seksuale. Dhe pastaj çuditemi pse ato e kanë mendjen veç për t’u zhveshur. Po si të mos zhvishen? Atyre u është mbushur mendja tanimë se nuk mund të fitojnë ndryshe ndjekës, audiencë, popullaritet, famë. Nuk mund të fitojnë vëmendjen e të tjerëve, nuk mund të bjenë në sy, për rrjedhojë nuk mund të fitojnë para e sukses. Ndonjëra zhvishet edhe sepse dëshiron, të kuptohemi, por në përgjithësi zhvishen për të përdorur e shitur trupin e tyre. Tani, unë nuk jam me idenë që ne t’i ndalojmë të zhvishen. Duan të zhvishen motrat Kardashian? Ok, le ta bëjnë. Do të zhvishet Bleona Qerreti e Enca Haxhia? Ok, le ta bëjnë. Do të dalë zbuluar deputetja e Kosovës Duda Balje, dhe kështu të shkojë në Parlament? Ok, le ta bëjë, siç e kishte bërë këto ditë, kur u pa në parlament me një fustan transparent, që bënte t’i dukeshin krejt të mbathurat në ngjyrë të zezë. (Në fakt, këtë të fundit, unë nuk do ta lejoja. Sepse më duket e rëndë ta shndërrosh parlamentin në një pasarelë. Është kundër natyrës së gjërave ky konfondim. Parlamenti është për tjetër gjë) Por le ta zëmë se nuk ekziston ndonjë problem edhe në këtë pikë. Le të mos i pengojmë pra që ta bëjnë atë që bëjnë. Le t’i lëmë të zhvishen edhe për kënaqësinë e syve tanë, të burrave.

Edhe për kënaqësinë e syve të mij, sigurisht.
Por në të njëjtën kohë ne, si shoqëri, duhet të biem dakord, se vajzat që zhvishen nuk ka pse të vlerësohen për faktin që zhvishen. Ne duhet t’i vlerësojmë ato, mbi të gjitha, për zellin e tyre për t’u aplikuar, për të zhvilluar talente e dhunti të tyret, për punën, lodhjen, këmbënguljen, e cilësi të tilla të tjera. Ky është mesazhi që duhet të përcjellim. Nëse ne vijojmë të inkurajojmë, promovojmë e të idolizojmë vajzat e zhveshura të patalentuara, apo vajzat që të vetmin talent kanë të zhveshurit, ne nuk bëjmë gjë tjetër, veçse përcjellim mesazhin se roli i grave është të jenë në funksion të kararit e prehjes së burrave, se statusi i tyre është ai i objektit seksual, që zgjon dëshirat te meshkujt dhe që u ofrohet këtyre të fundit si shans për të zbrazur energjitë e tyre mishtore. Mirëpo ky është…. maskilizmi. Kjo është ajo që duam? Kjo është ajo që duan gratë? Nuk besoj. Gratë që kanë luftuar për të drejtat e grave, gratë që kanë saakrifikuar për këto të drejta, nuk kanë pasur në mendje, në asnjë version, zhveshjen si tregues e provë të barazisë me burrat.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!