Studentë nga Shqipëria dhe Kosova janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të vazhduar protestën në mbështetje të bashkëmoshatarëve të tyre në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë të drejtën për të zhvilluar provimet në gjuhën shqipe.
Pjesëmarrësit në protestë janë parë të pajisur me flamuj kombëtarë, pankarta, plisa dhe tupanë. Në mesin e tyre spikat edhe një banderolë e madhe me mesazhin “Ne jemi bashkë”, ndërsa turma ka shoqëruar nisjen e protestës me thirrjen “O sa mirë me qen shqiptar!” dhe interpretimin e himnit kombëtar.
Studentët kanë theksuar se protesta ka karakter qytetar dhe jo politik, duke kërkuar që personat me qëndrime politike të mos bëhen pjesë e saj. Nën moton “Shqiptaria është me Shkupin”, ata pritet të marshojnë drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Sipas deklaratave të dhëna katër ditë më parë nga vetë studentët për Report Tv, në protestë pritet të marrin pjesë qytetarë dhe studentë nga Tirana, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.


