Studenti nga Shkupi, Besar Sejdiu, tha se studentët shqiptarë nuk do të ndalen derisa të pranohet kërkesa për zbatimin e gjuhës shqipe në provimet e jurisprudencës. Ai tha se shqiptarët po solidarizohen me kauzën e tyre, ndërsa theksoi se çështja lidhet me të drejtat themelore të studentëve shqiptarë.
“Derisa të pranohet kërkesa jonë, ne nuk do të ndalemi. Ne kërkojmë që ajo gjuhë të zbatohet, studentët shqiptarë mësojnë gjuhë shqipe dhe kur vjen puna te jurisprudenca, provimi nuk bëhet në atë gjuhë. Ne kemi ardhur në shenjë falënderimi që vëllezërit shqiptarë po solidarizohen me ne. Ne kemi hasur deklarata të ndryshme edhe nga partitë e tjera.
Ne nuk jemi pro protestave dhe të dalim në rrugë, por nëse nuk kemi zgjidhje tjetër, do t’i bëjmë.”
Studenti shqiptar Bislimi, i ardhur nga Lioni i Francës, u është bashkuar protestave në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Ai tha se kauza nuk lidhet vetëm me provimet, por me respektimin e gjuhës shqipe dhe të drejtave të shqiptarëve si popull shtetformues në RMV. Sipas tij, diaspora shqiptare në Francë ka shprehur solidaritet të plotë me kërkesat e studentëve për barazi.
“Unë vij nga Lioni i Francës, jam nga Kosova.
Na kanë thirrur shokët dhe kolegët nga Maqedonia për të protestuar këtu. Ne kemi qenë këtu, jemi një organizatë që ekziston në Francë, kemi bërë deklarata dhe i kemi përkrahur të gjithë. Shqiptarët në RMV, por edhe mesa jemi informuar, shqiptarët janë popull shtetformues dhe është puna e gjuhës, jo vetëm e provimit. Studentët e kanë kuptuar shumë mirë dhe kauza është të jemi të barabartë në Maqedoni.”


