Kryeministri Edi Rama ka nisur mesditën e së dielës një bashkëbisedim me demokratët pas protestës së mbajtur më 8 janar përpara Selisë Blu. Pas reagimeve të bëra edhe ditën e djeshme, kreu i qeverisë u shpreh se ajo që ndodhi dje mes të djathtëve është e rëndë për vendin.
Po ashtu, ai tha se nuk u vë faj atyre që mendojnë se ai vetë është i “fituari” mes kësaj beteje midis Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, por shtoi se një zhvillim si ai i 8 janarit e dobëson kundërshtarin por godet vendin.
“E rëndë për Shqipërinë, për demokratët. 3-4 miq të huaj më kanë marrë të pyesin a është e vërtetë që është sulmuar selia e opozitës nga mbështetësit e saj. Sepse lajmi mori dhenë. Lajm sa absurd aq edhe qesharak që sulmohet me dhunë partia e opozitës nga vetë mbështetësit e saj. Diçka ekstreme, e pa ndodhur kurrë në historinë e botës demokratike. Nuk u vë faj atyre që mendojnë se kjo është mirëseardhur nga unë. Një zhvillim i kësaj natyre që e dobëson kundërshtarin politik, në fakt godet vendin, shoqërinë…”
Rama përsëriti edhe një herë se kreu aktual i PD dhe ish-kryeministri Berisha janë “dy kufoma politike” që kanë marrë peng partinë.
“Dje ka marrë një goditje të tmerrshme. Ky është një shkatërrim që nuk dëmton vetëm PD, si parti por dëmton institucionin demokratik të opozitës. Këta dy personazhe janë e njëjta mbetje politike e ndarë përgjysmë. E pariciklueshme në funksion të së ardhmes. Asnjëri, as tjetri nuk janë zgjedhja ime. Këta të dy janë njëri të ndarë në dy pasqyra. Ngjarja mund të kishte degjeneruar në diçka të pangushëllueshme për PD, për demokratët dhe për Shoqërinë. Dy kufoma politike që e kanë marrë peng atë parti. Ishin të gatshëm ta luanin deri në fund lojën e mbrojtjes apo mbajtjes së kështjellës me gjakun e demokratëve. Që të dy ishin gati të sakrifikonin njerëz.”
Kreu i qeverisë përgëzoi edhe punën e bërë nga Policia e Shtetit që, sipas tij, u gjend në një situatë të paprecedent.
“Policia dje ka pasur sfidën më të vështirë. U sfidua nga një ngjarje me potencial gjakderdhjen, në oborrin e një partie politike për shkak një kacafytje në oborr mes vetes, barbare.
Policia, e stërvitur në tërë këto vite për të përballur këtë lloj materie politike që e përfshin dhunën si mjet politik…dje dhe sot meriton një falënderim të posaçëm, një përgëzim sepse mbajti të njëjtin standart, siç e ka krijuar në mbrojtjen e godinës së qeverisë nga kjo prurje.
Sulmet e të dy palëve pasi u shmang tragjedia, ndaj policisë janë një shëmbëlltyrë e një të vërtetë shumë të hidhur. Të dyja këto kufoma politike, që kanë marrë peng PD, janë shumë larg kulturës së respektit për shtetin e ligjshmërisë,” tha Rama. /abcnews.al/


