Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk janë vetëm.
Kolegët e tyre i presin në Tiranë në një tjetër tubim kuq e zi të martën e 26 majit në orën 17.00.
Me moton “Shqiptaria është me Shkupin”, studentët nisen nga sheshi Skëndërbej për të marshuar drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Studentja e drejtësisë Aida Turku ka reaguar ndaj kundërshtimeve politike në RMV lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe nga studentët e Fakultetit të Drejtësisë. Sipas saj, nuk ka asgjë antikushtetuese në këtë çështje, pasi Konventa e Ohrit ua garanton shqiptarëve të drejtën për të ushtruar dhe përdorur gjuhën shqipe.
“Është diçka politike nga RMV që duan t’u kundërvihen kolegëve tanë shqiptarë që studiojnë në Fakultetin e Drejtësisë. Nuk ka asgjë antikushtetuese, Konventa e Ohrit e përcakton atë dhe u jep të drejtën të ushtrojnë gjuhën shqipe. Frika e tyre është e vetmja gjë që ua ndalon këtë të drejtë, pasi do të jenë të detyruar të flasin shqip edhe në gjykata dhe institucione.”
Studenti i drejtësisë Dasho Veizaj ka folur lidhur me protestën që do zhvillohet në Tiranë në 26 maj, për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe dhe të drejtave të studentëve shqiptarë në RMV.
Sipas tij, protesta është një detyrim për të treguar se lëvizja e lirë dhe përdorimi i gjuhës shqipe janë të garantuara me ligj dhe se është një kauzë kombëtare.
“E ndjemë si detyrim për të bërë një protestë në Shqipëri për të treguar se lëvizja e lirë është e garantuar me ligj. Nuk jemi vetëm ne organizatorët e protestës, por janë të gjithë studentët që shkuan në Shkup. Merita dhe ideja është e të gjithëve, është e rëndësishme të jemi së bashku në këtë kauzë. Është një e drejtë që mohohet në vitin 2026, kur ne flasim se si mund të komunikojmë me AI, ndërkohë që shqipja qenka problem. Autoritetet maqedonase na keqtrajtuan. Më tepër se një kauzë gjuhësore, kjo është një çështje kombëtare.”


