Protesta në Shkodër dhe Kavajë kundër çmimit të karburantit

schedule16:41 - 10 Dhjetor, 2018

schedule 16:41 - 10 Dhjetor, 2018

Qytetarë të Shkodrës dhe Kavajës u ngritën në protesta për çmimin e naftës dhe rritjen e taksave. Protestuesit bllokuan për disa minuta rrugët hyrëse të qyteteve dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Shkodranët bllokuan rreth orës 16:00 rrugën kryesore në hyrje të qytetit. Protestuan kundër çmimit të naftës, taksave dhe papunësinë. Disa kërkuan edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Protestuesi 1: “Të gjithë po protestojnë për të rrëzuar qeverinë dhe i bëj thirrje të gjithë popullitshqiptar që të bëjnë protestë pas proteste deri sa të bjerë kjo qeveri.”

Protestuesi 2: “Ne mos ta ndalim këtë, por të solidarizohemi me të gjithë popullin.”

Protestuesi 3: “Sot jemi mbledhur për shumë halle dhe tellashe që ka ky popull. Jemi mbledhur për taksat e larta, për papunësinë.”

Protestuesi 4: “Nuk kemi pagat, nuk kemi dinjitet. Gjithçka do të bjerë tek fëmijët tuaj.”

Ata u shprehën në mbështetje të protestës së studentëve në Tiranë.

Protestuesi 5: “I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen në këtë kauzë që kërkon të drejtat tona dhe të përballojmë jetesën minimale që nuk po e kemi në këtë moment.”

Protestuesi 6: “Do i mbështesim studentët për të gjitha kërkesat e tyre. Poshtë Edi Rama.”

Për të shmangur ndonjë incident të mundshëm u angazhuan edhe forcat e policisë. Më pas qytetarët marshuan në drejtim të prefekturës së Qarkut Shkodër. Për rritjen e çmimit të naftës dhe të taksave u ngritën në protestë në të njëjtën orë edhe qytetarët e Kavajës. Fillimisht u mblodhën në sheshin kryesor të qytetit. Më pas me pankarta në duar iu drejtuan aksit nacional Kavajë-Durrës. Aty bllokuan rrugën për disa minuta.

Protestuesi 7: “Kemi naftën më të shtrenjtë në rajon dhe në Europë. I bëj thirrje këtu nga Kavaja të gjithë biznesit shqiptar që të dalin në protestë, të mbështesin studentët, fëmijët tanë, të cilët kanë dalë për të drejtat e tyre dhe për hallet tona.”

Në protestë krahas qytetarëve dolën edhe përfaqësues të biznesit të madh e të vogël./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!