Protesta e Berishës, Artan Hoxha: Të dy palët kishin kazma dhe lopata, “dashi” u zëvendësua me trapan

schedule21:31 - 10 Janar, 2022

schedule 21:31 - 10 Janar, 2022

Gazetari Artan Hoxha i ftuar në “Log.” në ABC ka treguar detaje që nuk u panë nga protesta e 8 janarit në Partinë Demokratike. Hoxha deklaroi se flamujt që kishin marrë me vete mbështetësit e Berishës kishin bishta kazme dhe lopate për të pasur mundësi për të future armë të ftohta në protestë.

“Flamujt ishin me bishta kazme. Ka një formë jo rrumbullake si bishti i lopatës, Bishtat e kazmës I kishin edhe ata mbrojtësit brenda selisë edhe skuadra e Berishës. Më kujtoi 21 janari. Ishte ideja për të sjellë një armë të ftohtë në protestë. Në të gjithë protestat e dhunshme në Shqipëri, pjesëmarrja e grave ka qenë shumë i vogël. Kur shoh një protestë me pjesëmarrje 90% meshkuj e kuptoj që do ketë akte dhune”, deklaroi Artan Hoxha.

Ai u shpreh se me t’u futur në seli, mbështetësit e Berishës përdorën trapanë në vend të “dashit” metalik, duke shfrytëzuar prizat e godinës për të tentuar të depërtojnë dyert e blinduara.

“Kati i parë ra. Dhe shkuan te shkallët shumë shpejt. Meqë shkuan shpejt te dyert e blinduara ata që e mbronin godinën hodhën gazin brenda. Duke u hedhur brenda krijoi atmosferë mbytëse. Brenda nuk është punuar me dash por me trapan. Ata kanë përdorur prizat, Dera e brendshme ishte më pak e blinduar se dera e jashtme. Efekti i gazit brenda ishte shumë i madh dhe ishte e pamundur të punonin”, tha ai.

Gazetari theksoi se edhe brenda selisë ka pasur një skuadër që vepronte në sinkron për të frenuar protestuesit. Edhe ata sipas Hoxhës kanë qenë të pajisur me bishta kazme.

“Kjo është një pjesë që ka disa filmime. Brenda selisë ka pasur një skuadër që vepron. Dalin një nga një. Të sinkronizuar. Tre me bishta kazme. Njërin me spraj. Që ka qenë truproja i Berishës dhe sot është i Bashës. Ata janë të sinkronizuar. Kanë njohuri ushtarake. Janë të guximshëm. Kur ata dalin ata goditen pafundësisht me gurë por e arrijnë misionin për të cilin nisen. Sulmuesit përdorën shkallët disa herë por nuk po ngjiteshin dot. Janë gjuajtur edhe me karrige”, tha ai. m.v/Abcnews.al