Propozimi për kreun e KLSH, Meta: Udhëhiqem nga interesi kombëtar

schedule12:28 - 24 Janar, 2019

schedule 12:28 - 24 Janar, 2019

I thonë prej tre ditësh se ka gabuar me propozimin e Bahri Shaqirit në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Zërat brenda mazhorancës socialiste këmbëngulin se Presidenti i Republikës nuk ka zbatuar kriterin që kandidati të jetë ekspert në fushën e financave. Edhe pse këtë të enjte doli për të përkujtuar me një tufë me lule 100 vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit, nuk e shmangu dot një përgjigje ndaj shumicës së majtë.

“Kushtetuta, interesi kombëtar dhe interesi publik janë të vetmet që më udhëheqin në veprimet e mia dhe në aktet e mia”.

Neni 20 i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit” ka përcaktuar dhe se cilat janë kushtet për t’u zgjedhur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

  1. a) ka arsim të lartë në ekonomi, financë ose drejtësi;
  2. b) përvojë profesionale në çështje financiare;
  3. c) ka kualifikime të larta profesionale dhe përvojë pune në profesion jo më pak se 10 vjet;

Në gjykimin e Presidentit Ilir Meta, Bahri Shaqiri ka njohuritë e duhura në fushën e ligjit dhe auditimit për të garantuar drejtimin profesional të institucionit të Kontrollit të lartë të Shtetit. Këtë e argumenton edhe me CV–në që i bashkëngjit propozimit të tij. Në të shkruhet se Bahri Shaqiri gjatë eksperiencës 26-vjeçare të punës në institucionet e larta shtetërore ka mbajtur poste të ndryshme në: Ministrinë e Finacave, Shërbimi Informativ i Shtetit, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe aktualisht në institucionin e Presidentit të Republikës.

Ndër të tjera Bahri Shaqiri në vitin 2009 është certifikuar auditues i brendshëm në sektorin publik nga Ministria e Financave. Por kjo nuk është e mjaftueshme sipas deputetëve socialistë, deklaratat e të cilëve paralajmërojnë refuzimin e propozimit të Presidentit./abcnews.al