Prokuroria mbyll hetimet për grupin “Habilaj”

schedule15:50 - 7 Janar, 2019

schedule 15:50 - 7 Janar, 2019

Organi i akuzës në Shqipëri ka mbyllur hetimet për grupin e drejtuar nga Moisi Habilaj, duke dërguar në gjykatë dosjen përkatëse dhe 9 të pandehur të akuzuar për “trafik droge” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Ndërsa hetimet për ish-ministrin e brendshëm Tahiri vazhdojnë, pasi prokurorët presin përgjigje për dy letërporosi të dërguara në Mal të Zi dhe Itali.

Prokuroria për Krimet e Rënda ka përfunduar hetimet për grupin e “Habilajve”, të akuzuar për trafikun e tonelatave të kanabisit drejt nga Shqipëria në Itali në formën e grupit të struktuaruar kriminal. Të pandehurit e dosjes janë Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Nezar Seiti, Armando Koçerri, Fatmir Minaj, Sabaudin Çelaj, Armando Sulaj, Tigrens Mezura dhe Maridian Sulaj. Të pandehurit e dosjes, një pjesë e të cilëve janë të arrestuar në Itali do të gjykohen për akuzat e “trafikut të narkotikëve”, “grupit të strukturuar kriminal” dhe “kryerjes së veprave në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.  Ndërkohë ndyrshe nga pjesa tjetër e grupit, prokuroria nuk ka finalizuar hetimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas burimeve, prokurorët e krimeve presin ardhjen e dy letërporosive. Në një prej tyre pritet të sqarohen rrethanat e një udhëtimi në linjë ajrore të familjarëve të Tahirit në korrik 2014, ndërsa në të njëjtin avion ka qenë edhe Moisi Habilaj.

Gjatë javës së kaluar dy nga prokurorët e çështjes kanë udhëtuar në Itali, ku kanë marrë kontakt dhe u kanë komunikuar akuzën të akuzuarve të dosjes që gjenden në masën “arrest në burg” në shtetin fqinj.

Sipas prokurorisë për Krimet e Rënda, grupi i “Habilajve” është mbështetur nga punonjës policie dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit.

“Nga hetimet rezulton se të pandehurit Florian Habilaj, Moisi Habilaj dhe anëtarët e tjerë të grupit kriminal për ushtrimin e veprimtarisë kriminale kanë bashkëpunuar me zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, shtetasit Jaeld Çela (ish-Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Gjerg Kohila, ish Shef Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, Sokol Bode, ish-shefin e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërni, si dhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri”, thuhej në dosjen e prokurorisë.

“ABC News” ka siguruar një kopje të materialit hetimor, ku zbardhen edhe përgjime të papublikuara më parë.

I tillë është komunikimi i 24 shtatorit 2016 mes të dyshuarit Armando Koçerri dhe një personi të paidentifikuar, ku ai shprehet: “S’të mora sot se s’të bërë dru gati, po kur të vij pastaj t’i marr ato barbunjat unë”.

Një tjetër komunikim i dyshimet sipas prokurorisë listohet ai i 2 tetorit 2016 ku Koçerri flet me një shtetas të paidentifikuar dhe shpreh shqetësim në lidhje me një mjet të dyshimtë. “Janë tanët. Janë pa dëme”, ia kthen bashkëbiseduesi.

Pjesë e dosjes është edhe përgjimi i majit 2015 në peshkarexhën “Fatima” në gjirin e Porto Palermos. Teksa në bordin e saj po ngarkohej kanabis, aty pranë kalon një furgon policie dhe Moisi Habilaj i thotë dy shtetasve italianë: “ata janë tanët”.

/abcnews.al