Të akuzuarit për sulmin e Ibër Lëpencit në 29 nëntor të vitit 2024 në kanalin e Ibër Lëpencit në Varagë të Zubin Potokut, kanë dalë sot përpara gjykatës themelore në Prishtinë.
Në seancën e sotme radha ka qenë për fjalën hyrëse të prokurorisë.
Akuza thotë se vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviç më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, në fshatin Varagë të Komunës së Zubin-Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të Ibër-Lepencit.
Sipas prokuroririsë, të akuzuarit, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, pas një marrëveshjeje paraprake dhe me qëllim rrezikimin e rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv brenda kanalit.
Eksplozivi ishte vendosur në një çantë të lidhur me litar në një shtyllë betoni, në mënyrë që të shkaktonte dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe energji elektrike.
Dëmi material i shkaktuar nga shpërthimi vlerësohet në 376 mijë e 774 euro e 70 centë.
Në hetime kanë ndihmuar edhe agjentë të FBI, të cilët kanë konstatuar se mostrat e dheut të marra nga çizmet e sekuestruara nga të pandehurit nuk dallonin për nga ngjyra, struktura dhe përbërja nga mostrat e marra pranë kanalit Ibër-Lepenc, duke i konsideruar ato të përputhshme me vendin e ngjarjes.
Serbët Dragisha dhe Jovan Viçentijeviç, si dhe Igor Dimoviç po mbrohen në liri. Ata nuk e kanë pranuar afjësinë për sulmin, ndërsa Prokuroria thotë se pas tyre dirigjenti kryesor është Beogradi.



