Fondi i Abu Dhabit per Zhvillim do të vijojë mbështetjen për projektet transformuese në Tiranë. Krybashkiakut Erion Veliaj garancinë ja dha drejtori i operacioneve në botë të këtij fondi.
Dy segmentet e mbetura dhe rivitalizimi i një sheshi në fund të bulevardit të ri në Tiranë do të financohen nga fondi i Abu Dhabit për Zhvillim.
Drejtori i operacioneve në botë Abel Al Husan garantoi kryetarin e bashkisë Erion Veliaj se do të vijojë mbështetjen për ta përfunduar këtë projekt.
“Kemi pasur një eksperiencë të shkëlqyer me zbatimin e projektit të Bulevardit të Ri, në këto dy vite kemi ecur me ritme të jashtëzakonshme. Sot po i afrohemi fundit, ndërkohë kemi përfunduar totalisht sistemimin e Lumit të Tiranës, çka shpëtoi nga përmbytjet njësitë 4, 8, 9 dhe 11. Pra, fillon nga ura e kthesës së Kamzës deri te Kafja e Rremës, një mënyrë për të shpëtuar një komunitet të tërë, i cili më parë vuante të gjithë pasojat e përmbytjeve. Sot përmbytjet janë një përrallë nga e kaluara”.
“Jemi të kënaqur për partneritetin strategjik me qeverinë e Shqipërisë dhe të gjithë jemi dëshmitarë të një arritjeje të madhe. Një tjetër arritje është bërë në zhvillimin e këtij projekti të Bulevardit verior dhe në projektin e rehabilitimit të lumit. Po vazhdojmë diskutimet me qeverinë për projekte të reja. Faleminderit atyre që na dhanë mundësinë për të qenë pjesë e sfidave të tyre të zhvillimit dhe patjetër që do të vazhdojmë të ndihmojmë kolegët dhe vëllezërit tanë në Shqipëri për një të ardhme më të mirë”, tha Adel Al Husan.
Projekti i rehabilitimit të Lumit Tirana deklaroi kryebashkiaku Veliaj nuk përfshin vetëm sistemimin e familjeve që jetonin në shtëpi të ndërtuara në shtratin e lumit, si dhe ndërtimin e skarpateve mbrojtëse, por edhe krijimin e hapësirave shlodhëse dhe argëtuese për banorët e zonës. /abcnews.al