Presidenti amerikan Donald Trump është takuar për herë të parë me presidenten e përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodríguez, që nga operacioni amerikan në janar, gjatë të cilit u kap ish-presidenti Nicolás Maduro.
Takimi u zhvillua në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, gjatë një pritjeje të organizuar nga Trump.
Në takim morën pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sekretari i Thesarit, Scott Bessent, shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, si dhe Stephen Miller.
Rodríguez, e cila po zhvillon vizitën e saj të parë në Shtetet e Bashkuara që nga marrja e detyrës, pritet të mbajë fjalimin e saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Takimi vjen në një periudhë afrimi të ri mes Uashingtonit dhe Karakasit, veçanërisht në sektorët e energjisë, minierave dhe sigurisë. Rodríguez tha pas takimit se të dyja palët diskutuan forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin në këto fusha.
Në fjalimin e tij në OKB, Trump e cilësoi Maduros si një “diktator jashtëligjor” dhe mbrojti ndërhyrjen amerikane në Venezuelë.
Ndërkohë, afrimi mes administratës Trump dhe qeverisë së përkohshme të Rodríguez ka shkaktuar reagime nga kundërshtarët e saj politikë.
Kritikët argumentojnë se Uashingtoni po i jep më shumë peshë marrëveshjeve për naftën dhe investimet, ndërsa presioni për zgjedhje të lira është zbehur.
Në Nju Jork, rreth 50 protestues u mblodhën jashtë selisë së OKB-së kundër pranisë së Rodríguez. Ata mbanin flamuj venezuelianë dhe pankarta me mesazhe kundër marrëveshjeve të naftës dhe qeverisë së përkohshme.
Vizita e Rodríguez në OKB shënon gjithashtu rikthimin e Venezuelës në skenën diplomatike ndërkombëtare, pas ndryshimit të madh në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara që pasoi kapjen dhe largimin nga pushteti të Maduros.

