Presidenti Thaçi përsëri kundër Haradinajt për demarkacionin me Malin e Zi

schedule21:54 - 13 Nëntor, 2017

schedule 21:54 - 13 Nëntor, 2017

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbrojtur përsëri marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e ZI duke thënë se akordi i arritur në 2015 është i saktë. Nga ana tjetër, komisioni shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit ka zbuluar fakte që tregojnë se Kosova humb territor nga kjo marrëveshje.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdon të mbrojë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Gjatë një fjalimi të mbajtur në konferencën ndërkombëtare “NATO dhe dinamikat e shteteve të Ballkanit Perëndimor”, kreu i shtetit doli edhe njëherë në kundërshtim me kryeministrin Ramush Haradinaj, lidhur me çështjen e shënjimit të kufirit.

Hashim Thaçi, presidenti i Kosovës: “Marrëveshja e demarkacionit është mirë, është e qartë, e saktë, profesionalisht e argumentuar dhe e mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare. Çdo pretendim tjetër është vetëm zhagitje dhe humbje kohë, e dëmshme për shtetin e Kosovës dhe për të ardhmen euroatlantike”.

Ndërkohë, komentet e Thaçit vijnë pas fakteve të reja të zbuluara nga komisioni shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit. Duke folur në Komisionin për Integrime Europiane, Shpejtim Bulliqi mbrojti deklaratën e Haradinaj, i cili përsërit se kufiri i Kosovës me Malin e Zi është në Çakorr dhe Kullë. Kryetari i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit, argumentin e parë e dha duke thënë se në vitin 2009, stacioni i Policisë së Kosovës, ka qenë në Kullë, ku tani gjendet vendkalimi kufitar me Malin e Zi. Megjithëse raporti përfundimtar ende nuk ka dalë, Bulliqi thotë me bindje se Kosova ka humbur territor në marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e ZI të 2015. Ky version mbështet edhe nga Haradinaj, i cili në veprimin e parë si kryeministër shkarkoi të gjithë anëtarët e komisionit shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit dhe emëroi Shpejtim Bulliqin në drejtim të tij./abcnews.al