Presidenti Meta uron nxënësit: Prioriteti i shoqërisë, investimi në dije

schedule08:40 - 16 Shtator, 2019

schedule 08:40 - 16 Shtator, 2019

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka uruar të gjithë nxënësit në nisje të vitit të ri shkollor. Përmes një postimi në facebook, kreu i shtetit shprehu bindjen se ky do jetë brezi i ditur që  që do t’ja ndriçojë edhe më shumë emrin Shqipërisë.

Ai u bëri thirrje të gjithë fëmijëve që kanë braktisur shkollën t’i rikthehen asaj, ndërsa shtoi se prioriteti kryesor i një shoqërie, që ka besim tek e ardhmja është vetëm duke investuar në dije dhe arsim tek gjenerata më e re, sepse ky është investimi më i sigurtë për të ardhmen europiane.

Mesazi i Presidentit Meta:

Të dashur vogëlushë që uleni sot për herë të parë në bankat e shkollës, ju u uroj me zemër shumë suksese dhe një vit të mbarë shkollor, në nisjen e rrugëtimin tuaj drejt dijes dhe ndërtimit të një të ardhmeje të ndritur, plot me ngjyra si ëndrrat tuaja!

Sot ju hidhni hapin më të madh e më të rëndësishëm, suksesi i të cilit, do ju ndihmojë të fitoni garat e tjera të jetës. Me mësuesit, si udhërrëfyes e bashkëudhëtarë, jam i bindur se do të jeni një brez i ditur që do t’ja ndriçojë edhe më shumë emrin Shqipërisë.

Uroj gjithashtu shumë suksese edhe për të gjithë nxënësit në këtë vit të ri shkollor, në përpjekjet e tyre për nxënien e dijeve të reja, aq të domosdoshme në përballimin e dallgëve të jetës.

Mirënjohjen më të thellë për të gjithë mësuesit, që me punë të palodhur, përkushtim e sakrifica arsimojnë denjësisht brezat e rinj. Përmbushje me sukses të misionit tuaj fisnik të edukimit!

Gjithashtu sot është dita për t’ju bërë një thirrje edhe të gjithë familjarëve dhe fëmijëve, të cilët me apo pa arsye kanë braktisur shkollën, t’i rikthehen asaj sa më parë.

Prioriteti kryesor i një shoqërie, që ka besim tek e ardhmja plot sfida, është vetëm duke investuar në dije dhe arsim tek gjenerata më e re. Ky është investimi më i sigurtë për të ardhmen tonë europiane.

Vetëm kështu ne mund të rrisim shpresën dhe besimin se do t’i kapërcejmë me sukses sfidat e së ardhmes, në radhë të parë në interesin e fëmijëve tanë, të cilët janë drita e syve, shpirti dhe zemra e çdo familjeje shqiptare, dhe e shoqërisë sonë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!