Sondazh

A do të zgjasë gjatë konflikti në Iran?

Loading ... Loading ...
 

Konjufca për çështjen e Presidentit: Shkojmë në zgjedhje nëse ky është vullneti i opozitës

schedule12:23 - 15 Prill, 2026

schedule 12:23 - 15 Prill, 2026

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Jashtëm dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit varet nga vullneti i partive opozitare.

“Shkojmë në zgjedhje të reja nëse ky është vullneti i opozitës, nuk kemi çfarë të bëjmë”, tha ai për mediat më 15 prill. Duke folur për propozimet që mund të bëjë subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, Konjufca tha se në këtë parti ka “emra të pakapërcyeshëm” për LVV-në dhe nëse këta emra propozohen, sipas tij, më pas ky subjekt opozitar do të fajësonte partinë në pushtet për dështim të zgjedhjes së presidentit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin presidentin, në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje.



Kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka zhvilluar takim me Lumir Abdixhikun, kryetarin e subjektit opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, por takimi ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje për presidentin. LVV-ja ka paralajmëruar edhe takime të tjera me LDK-në dhe PDK-në, por një datë e saktë për këto takime nuk është bërë e ditur.

Që nga 4 prilli, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka marrë postin e ushtrueses së detyrës së presidentit, pasi ish-presidentes Vjosa Osmani i skadoi mandati pesëvjeçar. LVV-ja e Kurtit më 5 mars propozoi dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku. Në mungesë kuorumi, procesi ka mbetur në gjysmë.

Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani prezantoi një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.

Dekreti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria.

Gjykata më pas doli me vendim duke thënë se dekreti i ish-presidentes nuk ka pasur asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit, në të kundërtën shteti shkon në zgjedhje që duhen të mbahen brenda 45 ditësh.

Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit të vitit 2025 dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!