Eksperti Fatjon Softa ka analizuar ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Tiranë, ku një pallat 12-katësh u përfshi nga flakët. Si pasojë, 30 apartamente u dogjën plotësisht.
Ai shpjegoi se ndërtimet vertikale, që në Tiranë ka shumë të tilla krijojnë vështirësi për ndërhyrje. Gjatë intervistës në “NewsLine” në ABC News, eksperti Softa, tha se është shumë e rëndësishme në lartësi katesh, në pallate të tilla duhet të jetë edhe dalje emergjente.
“Ky është problem sepse në Tiranë kemi ndërtime vertikale dhe kjo krijon problem për ndërhyrje në raste të tilla. Nuk është i pari rast. Kemi rastin te rruga e Kavajës, te ish-Parku. Fasadat kryesisht janë materiale të djegshme dhe duket qartazi nga tymi i zi që krijohet. Por do jetë ekspertiza që do bëhet që të nxjerrë shkaqet dhe të bëjë analizën. Por pamjet tregojnë se kemi ngritje vertikale të menjëhershme të zjarrit. Një tjetër problem është se çfarë do bëhet me rastet e evakuimit në raste zjarri, pra në sa lartësi katesh duhet të kemi dalje emergjente. Duhet të certifikohen edhe materialet në momentin që merret dhe dorëzohet një objekt”, tha ai.
Gjithashtu komentoi edhe reagimin e zjarrfikëseve në rastin në fjalë, duke e cilësuar operacionin të vështirë, por që falën impenjimit të zjarrfikësve u arrit të shpëtoheshin qytetarë. Një tjetër shqetësim që ngriti Softa ishte hapësira e ngushtë për të lejuar lëvizjen e automjeteve, si ajo e zjarrfikësve.
“Unë e vlerësoj punën heroike edhe për vështirësinë që kanë zjarrfikësit. Vlerësoj shumë edhe strukturat që ndërhynë për të shuar flakët. Operacioni sigurisht që ishte i vështirë. Por theksoj që investimet e mbrojtjes nga zjarri duhet të jetën të shtuara”, tha ai.
/abcnews.al/


