Drejtor i Emergjencave Civile Shemsi Premçi ka kërkuar që të shpallet emergjencë e pjesshme civile në Shkodër, pasi situata e përmbytjeve është rënduar. Si shkak Premçi ka identifikuar punimet pa standard të rrugës së Velipojës, një investim i qeverisë, për të cilin ai kërkoi hetim nga Prokuroria.
Kreu i Shtabit të Emergjencave Civile Shemsi Premci kërkon shpalljen e gjendjes së emergjencës së pjesshme civile në Shkodër. Pas kërkesave të përsëritura nga Bashkia, duket se edhe z.Premçi ka arritur në këtë konkluzion, pasi sipas tij situata në Anën e Malit dhe në Dajç është përkeqësuar.
Qëndrimin e dha në mbledhjen e shtabit të emergjencave. Pas monitorimit të situatës në terren, Shemsi Premci identifikon si përgjegjës për zgjerimin e hartës së përmbytjeve në Shkodër investimin që po kryhet tek rruga e Velipojës. Ai kërkoi hetim nga Prokuroria për punimet e kësaj rruge.
Segmenti Shkodër-Velipojë është një investim i qeverisë që po kryhet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kostoja e rrugës prej 47 km është 20 milionë euro. /abcnews.al