Me mijëra studentë të universiteteve publike kanë nisur protestat kundër tarifave, e kushteve në auditorë e konvikte. Në pak ditë, ia dolën të marrin ç’ka vetë opozita nuk ka fituar dot vitet e fundit: vëmendjen, por edhe ftesa për dialog nga vetë kryeministri. Por studentët duken halli më i vogël i Edi Ramës në këto ditë dhjetori. Këtë jave nga Mimoza Koçiu me Politika në ABC News.
Lindita Nikolla: “Do të hiqet neni 4 dhe nuk do ketë kosto shtesë për studentët përsëritës që mbartin provimet nga një vit i mëparshëm.”
Edi Rama: “Jam gati t’i takoj kur të duan.”
Ia dolën për dy ditë protestë para Ministrisë së Arsimit, të bënin atë që nuk e bëri dot, as vetë opozita në afro 6 vjet. Tërhoqën vëmendje, mbështetje të gjerë publike, duke ilustruar se si një Kryeministër, qëndrimet cinike i shndërron në lëshime, në më pak se 24 orë, përpara një proteste kaq masive, ndërsa ka edhe një tjetër situatë të sikletshme përpara.
Çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?
Kanë 4 vjet që ankohen për tarifat universitare, por aksioneve të tyre të izoluara, disa prej të cilave edhe me mbulim mediatik, nuk ua vuri veshin njeri.
Në (23) janar 2015 ankesa për tarifat e larta të studimeve, u artikulua për herë të parë nga studentë të universiteteve private, të transferuar në universitetet publike.
5 muaj më vonë, në maj 2015 (6 maj) studentët bllokuan qarkullimin për 1 orë para Kryeministrisë, kundër reformës së qeverisë në arsim, që sipas tyre u rrit tarifat vjetore, në krahasim me vitet e kaluara.
Në (21) janar 2016 studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale bllokuan për 3 orë dyert e universitetit, duke kërkuar pagesën e tarifës me këste dhe uljen progresive të tarifave çdo vit.
Kurse 2018, ishte viti i intensifikimit të kërkesave. Protesta e parë ishte në janar para Kryeministrisë, për përgjysmimin e tarifave të studimit. Ministria e Arsimit iu tha se përgjegjësinë e kanë universitetet, e se tarifat nuk kanë ndryshuar në 4 vitet e fundit. Studentët thonë se e kanë tentuar ankimimin për tarifat vjetore pranë universiteteve por pa rezultat (maj 28).
5 javë më herët, me 22 tetor, një grup studentësh aktivistë nga Lëvizja Për Universitetin ndërprenë për pak momente fjalën e kryeministrit Edi Rama, për të evidentuar gjendjen reale të arsimit, me kushtet e tarifat, përkundër panoramës që po paraqiste Kryeministri në një takim me studentë.
Një muaj më vonë, (22 nëntor), protestuan para Kryeministrisë, duke përsëritur kërkesën e njohur për uljen e tarifave të studimit, e rritjen e buxhetit për arsimin.
“Unë jam viti i parë gazetari. Tarifa jonë është 300 mijë lekë në vit. Mua m’i paguajnë prindërit sepse vetë nuk punoj, plus shtëpia me qira, plus shpenzime të librave nuk na mjaftojnë. Mund të rritet shumë mirë buxheti sepse ka para të buxhetit që harxhohen kot”.
Kjo protestë, koinçidoi me atë para parlamentit të banorëve të Unazës së Re, shtëpitë e të cilëve prishen nga projekti i saj. Për pasojë protesta e studentëve, pati vetëm vëmendjen e mediave, as të Kryeministrit e as të opozitës. Duket se studentët vendosën të mos presin më. Më 4 dhjetor nisi bojkoti i mësimit te fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Arkitekturës e Urbanistikës, në shenjë proteste kundër tarifave të arsimit. Kërkesa kryesore: heqja e tarifës për provimet e mbartura, një barrë më shumë sipas tyre, me tarifat e rritura që në 2014. Të nesërmen u bënë më shumë, e iu drejtuan Ministrisë së Arsimit ku protestuan për dy orë. Masiviteti i protestës ishte pika e fortë e studentëve. Këtë herë ministrja e Arsimit i ftoi për një takim në ambientet e ministrisë, por ata e ftuan të fliste me ta në shesh. Ministrja ua dha sqarimin nga foltorja e ministrisë. Përgjigja e ngjashme me të kaluarat, nuk i bindi e premtuan rikthim në protestë të nesërmen.
Qasje jo bashkëpunuese ndaj tyre pati Kryeministri. E derdhi cinizmin në një përgjigje në rrjetet sociale, duke i cilësuar “ngelësa” studentët që kërkonin heqje të tarifës.
“A jeni ju dakord qe t’i paguani ju, pra taksapaguesit, shpenzimet e universitetit për studentet ngelës? Unë për vete nuk jam dakord e para dhe e dyta, nuk ka asnjë rritje tarifash qysh prej vitit 2014”.
Disa orë më vonë, dha një përgjigje më të kujdesshme, por sërish shpërfillëse
“Thjesht e vërteta: 1.Tarifat s’i përcakton ministria po universiteti 2.Asnjë tarifë s’është rritur nga 2014 3.VKM për tarifën e mbetësve është kërkuar nga universitetet 4.Efekti i VKM nis vitin tjetër 5.Ministrja u ka sugjeruar sot universiteteve të konsiderojnë rishikimin e VKM.”
Një përgjigje i erdhi nga lëvizja për universitetin, po në rrjetet sociale.
“1. Nivelin e financimit të universiteteve publike dhe tarifën maksimale e vendos qeveria. Rrisni buxhetin dhe ulni tavanin! Pastaj universitetet mund të propozojnë uljen e tarifave.
2. Në vitin 2014 tarifat janë rritur sa për pesë vite të mëparshme rresht. Përveç kësaj, ne kërkojmë përgjysmimin e tyre deri në realizimin e parimit arsim publik falas. E kupton logjikën apo ke nevojë për një orë leksioni?!
3. Ne nuk jemi mbetës. Jemi mijëra studentë që punojmë dhe studiojmë fort. Prandaj shumë prej nesh zgjedhin t’i shtyjnë provimet, që të kemi mundësi të studiojmë më shumë.
4. Ne do të jemi gjallë edhe vitin tjetër. Siç do të futen në universitete dhjetëra mijëra studentë të tjerë. Ne luftojmë edhe për ta.
5. Rishikimin e v.k.m. e bën autoriteti që e ka hartuar, jo universitetet. Nuk ke një këshilltar që ka pak kulturë juridike?!”
Në fakt kjo replikë virtuale, është edhe thelbi i ndarjes së studentëve me qeverinë. Km ka të drejtë kur thotë se tarifat-tavan janë të njëjta prej vitit 2014. Ç’ka nuk thotë, është se ato janë rritur me firmën e tij, pikërisht në vitin 2014, në krahasim me tarifat e paraardhësit Berisha. Reagimi prej vitesh i studentëve, duket ka sjellë ngrirjen e tyre, por kjo për studentët nuk mjafton. E enjtja e 6 dhjetorit, dita e dytë e bojkotit të mësimit, i mblodhi para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ndërsa bojkot e protestë zhvilluan edhe studentët në Korçë, Elbasan, Durrës e pjesërisht në Shkodër.
Dukshëm situata nuk kalohej më me shpërfillje. Lindita Nikolla mblodhi rektorë e dekanë universitetesh. Tërheqja e parë erdhi, pikërisht për provimet e mbartura, për të cilën Kryeministri i kishte quajtur ngelës.
Qeveria e dëshmoi fuqinë e saj, kur pak minuta më vonë me një VKM qarkullues me firmën e Kryeministrit, anulloi pikën e tarifës për provimet e prapambetura.Vetë Kryeministri u shfaq në ceremoninë e zyrtarizimit të ardhjes në Shqipëri të rrjetit hotelerik Huyat, pa asnjë referencë për protestën. Në fakt ishte gjendur një dorë, që materializoi me shkrim kërkesat e studentëve për ministren Nikolla, një mundësi për dialog. Në më pak se dy orë, Ministrja bëri daljen e dytë publike. Por as kjo dalje e dytë, nuk I bindi studentët
Spontaniteti që kishte sjellë këtë lëvizje dy ditë më herët, u vërtetua nga mungesa e një përfaqësie të tyre, ç’ka pamundëson orientimin, të paktën në këtë fazë, të studentëve protestues. Këtë e ndjeu e para qeveria, e pas saj edhe opozita, ndërsa studentët kërkojnë që asnjë politikan të mos u afrohet.
Kryeministri replikoi indirekt me ta, jo për çështjen e tarifave për të cilën ankohen prej 4 vitesh, por për kushtet, teksa u tregoi në rrjetet sociale, ndryshimin e disa prej godinave të qytetit studenti, para e pas rikonstruksionit. Nga ana tjetër selia blu, i mbështeste moralisht, duke ndarë me mediat çdo moment të protestës së studentëve. Vetë Lulzim Basha të enjten pasdite, në vizitën pothuaj sistematike tek banorët e Unazës së Re, u kushtoi vëmendje të posaçme.
Ngjashmëria me dhjetorin ‘90, kur gjithçka nisi me kërkesa ekonomike, po elektrizon opinionin publik, po aq sa edhe opozitën.
Të premten e 7 dhjetorit ishin më të shumtë në numër, pasi iu bashkuan edhe studentë nga rrethet, e njëlloj përsëritën se nuk kishin ndërmend të tërhiqeshin. Tashmë kishin në krah të gjitha mediat informative, që injoruan aktivitetet e tjera të njoftuara të ditës, për të pasqyruar vetëm protestën e tyre.
Përveç banorëve që preken nga projekti i Unazës së Re, opozita mbështeti javën politike që lamë pas edhe banorët e Shkozës, shtëpitë e të cilëve prishen nga projekti i unazës lindore të Tiranës, e banorët e Bregut të Lumit të cilët kërkojnë dëmshpërmbimin e vonuar, për shtëpitë që iu prishën nga projekti i bulevardit të ri. Një lloj gare në distancë zhvillohej mes Ramës e Bashës. Paradite, Kryeministri përgëzonte prishjet vullnetare të banesave a bizneseve, që Bashkia e Tr i shpërndante në media, edhe pse nuk ka një VKM për ta. Ndërsa pasdite Lulzim Basha u ofronte mbështetje e u kërkonte rezistencë banorëve të zonës së Unazës.
Të enjtën në mbrëmje, “Të paekspozuarit” kishte zbuluar se Kompania Dunëell Haberman, fituese e lotit të parë prej 18 milionë euro për rindërtimin e Unazës së Madhe, kishte falsifikuar dokumentin e themelimit, të sekretarit të shtetit të Delaëare, vend ku kjo kompani ushtron aktivitet. Padyshim që kjo do përbënte një skandal të madh për një project të kushtueshëm, e që ka sjellë konflikt me banorët. Zbatuesi i projektit, Autoriteti rrugor shqiptar largoi përgjegjësinë nga vetja, duke thënë se nuk kishte patur asnjë indicje, por i kërkoi ministrisë përkatëse, të verifikonin kompaninë me autoritetet amerikane, e deri në një përgjigje, njoftoi ndërprerjen e punës në segmentin e kësaj kompanie, nga ura e Lanës tek sheshi Shqiponja.
Edi Rama ka heshtur qëkur ky lajm u bë publik. Pikëpyetjet për të shtohen, sidomos pas akuzave të përsëritura të opozitës, se projekti ka një vlerë korruptive. Por shefi i qeverisë, e kishte një rrugëdalje të përkohshme dhe e përdori: protestën e studentëve. I ftoi personalisht në takim, duke e orientuar vëmendjen tek protesta e tyre
Opinionit ia kujtoi Lulzim Basha, që i kërkoi të mos fshihej pas ARRSH.
“Tani është e qartë për të gjithë ju se projekti i Unazës së Re është një projekt vjedhjeje, dhe jo një projekt zhvillimi. Ai nuk bëhet për qytetin e Tiranës, nuk bëhet për njerëzit, porbëhet për xhepat e Edi Ramës. Ideatori planifikuesi përfituesi i vjedhjeve Edi Rama. Po e shohim të vërtetën: Edi Rama është hajdut. unë jam me ju. Askush sduhet të rrijë pa vepruar”.
E megjithatë vëmendja mbetet tek studentët. Njëlloj si një ditë më parë, edhe të premten, ministria iu përgjigj brenda afatit ultimativ studenëve, kërkesat e të cilëve tashmë kishin shkuar në 8, me shkrim dor e për ministren e arsimit, për të cilën e premtja ishte ditë impenjimi për kërkesat e tyre.
Vetë studentët sërish nuk duken të bindur. Pa një përfaqësi të zgjedhur, e kanë më të lehtë të imponohen dhe e kanë kuptuar këtë.
“Studentët duket nuk kanë ndërmend të tërhiqen, e po shtojnë kërkesat për reformim të universiteteve bashkë me pedagogët, por sikleti i Km me ta është më i vogli, në raport me skandalin e korrupsionit ku është përfshirë një prej kompanive fituese të tenderit të një segmenti të unazës së madhe. Zëri i Amerikës konfirmon se në Delaëare të SHBA, ka nisur hetimi për të përcaktuar nëse kompania Dunëell Haberman, ose ndonjë prej zyrtarëve të saj, është përfshirë në aktivitete të paligjshme, mashtrime ose falsifikime për të siguruar kontratën në Shqipëri, duke falsifikuar datën e krijimit dhe një certifikatë e Sekretarit të Shtetit se kjo firmë nuk i ka detyrime fiskale shtetit, dokument që është mohuar të jetë kërkuar e lëshuar në SHBA”./abcnews.al