Plumba drejt automjetit të gazetarit në Kosovë: Për shkak të punës, i dëshpëruar me shtetin tim

schedule12:42 - 18 Tetor, 2020

schedule 12:42 - 18 Tetor, 2020

Në drejtim të automjetit të një gazetari të Kosovës është qëlluar me rreth gjashtë plumba gjatë mbrëmjes të së shtunës. Lajmin e ka bërë të ditur vetë gazetari Shkumbin Kajtazi, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Bashkë me fotot ku duket automjeti i bërë “shoshë” nga plumbat, gazetari shkruan se kur ndodhi sulmi makina ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës ndërsa ai vetë ishte afër. Kajtazi shpjegon se rastin e denoncoi në polici ndërsa dyshon se sulmi lidhet me punën.

Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka thënë për Express se në vendngjarje janë gjetur gëzhoja plumbash.

Zahiti shpjegoi se rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“Rasti është iniciuare si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“Është bërë shikimi i vendngjarjes, në veturë janë gjetur 2-3 gëzhoja plumbash. Hetuesit po punojnë për ta zbardhur rastin, deri më tani nuk ka të dyshuar.”

Postimi i plotë i gazetarit në Facebook

Miq,

Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime u qëllua me 5 ose 6 plumba.

Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, kur vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës.

Unë isha afër dhe kam dëgjuar krisma arme, por si njeri naiv që beson se Kosova është vend normal, nuk e kam lejuar mendjen të më thotë se mund të jetë sulm i tillë. Isha gabim.

Kur u afrova tek vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejten gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme.

Edhe në Polici deklarova se rasti lidhet me punën, pasi problem personal me dikë nuk kam pasur që nga shkolla e mesme.

Rasti është në Polici dhe shpejt do ta marrin në dorë hetuesit e krimeve të rënda. Zbardhja e tij duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi.

Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij.