Pluhuri i Saharasë dhe ditët më të nxehta, meteorologia-qytetarëve: Shmangni orën e pikut

schedule13:30 - 26 Korrik, 2021

schedule 13:30 - 26 Korrik, 2021

Ditët e nxehta nuk kanë mbaruar.

Meteorologia, Laida Porja tha për “ABC” se ditët në vijim vendi do të jetë në shoqërinë e temperaturave të larta.

“Pritet që sonte gjatë natës të kemi ardhjen e masave ajrore nga qendra e Afrikës duke sjellë temperatura të larta të cilat do të jenë më të lartat e të gjithë verës. Korriku është cilësuar një muaj shumë i nxehtë, ku kemi pasur vlera afër 42 gradë. Pritet që kjo javë të ketë vlera 43 gradë.

Duhet të theksojmë se vlera historike është 43.4 gradë e shënuar në Gjirokastër në 2016 e pasuar dhe në 2017. Kjo javë sjell temperatura të larta ku dita e mërkurë dhe e enjtja do të jenë ditët më të nxehta do kemi edhe kulmin e valës së nxehtit afrikan”, sqaroi ajo.

Më tej Porja tha se ky korrik ndryshe nga vitet e tjera pasi është një korrik që vlen për tu analizuar dhe studiuar.

“Kjo javë është java më e nxehtë jo vetëm e korrikut,  por edhe e gjithë verës. Parashikohet që kjo valë të jetë deri të premten, ku më pas pritet një rënie por nuk do të jetë shumë e ndjeshme sepse nga 43 gradë zbresin në 38-39 gradë që do të zgjasin të paktën deri në 5 gusht dhe më pas do të kemi një freskim të motit.  TZonat më problematike do të jenë kryesisht qarku i Elbasanit, Cërriku, Belshi , Berati, Kuçova nuk përjashtohet dhe Gjirokastra.

Sa i përket zonës malore Kukësi dhe Hasi presin temperatura më të larta, më freskët pritet të jetë në Librazhd. E gjithë zona bregdetare nga Velipoja, Shëngjini, Gjiri i Lalzit vija bregdetare e Adriatikut, përfshirë Vlora , Saranda dhe Ksamili, temperaturat do të luhaten nga 39 deri në 41 gradë.

Nuk mund të themi se nuk do të ketë fenomene të një stuhie tropikale, mund të kemi gjatë gushtit, por tek ne parashikohet që moti të jetë i qëndrueshëm, deri në javën e parë të gushtit me mot stabël dhe temperatura të larta.

Por pas datës 5 do të kemi rënie të temperaturave , por mund të themi që gushti nuk do të ketë shumë reshje dhe do të jetë i thatë”, tha më tej meteorologjia, ndërsa shton se të paktën të martën të mërkurën dhe të enjten qytetarët të evitojnë orët e pikut nga ora 10:00 deri në  16:00.

Sipas meteorologes do të ketë edhe rritje të vlerave minimale duke e bërë natën të papërballueshme pasi edhe nata pritet të jetë e nxehtë. Këto masa ajrore sipas saj do të sjellin pluhurin e Saharasë që e bën ajrin edhe më mbytës.

/abcnews.al/