Plotësohet kërkesa e protestuesve në Hong Kong

schedule14:17 - 4 Shtator, 2019

schedule 14:17 - 4 Shtator, 2019

Është tërhequr në mënyrë përfundimtare ligji për ekstradimin në Kinë. Liderja e Hong Kong Kerri Lem deklaroi në television se vendimi u mor për të qetësuar opinionin publik. Por protestuesit premtuan sërish manifestimi deri në plotësimin e katër kërkesave të tjera.

Liderja e Hong Kong, Kerri Lem, deklaroi se ligji për ekstradimet në Kinë është tërhequr përfundimisht, duke plotësuar në këtë mënyrë kërkesën e parë të manufestuesve të cilët prej muajsh po protestojnë në ish koloninë britanike. Lem e bëri deklaratën në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv. Mediat në vend raportojnë se mesazhi prej 7 minutash ishte i regjistruar paraprakisht. Por nga ana tjetër nuk do të ketë një komision të pavarur për të hetuar veprimet e policisë, një tjetër kërkesë e rëndësishme e manifestuesve kjo. Guvernatorja pro Pekinit u shpreh se qeveria kishte tërhequr ligjin në fjalë për të qetësuar opinionin public. Ligji për ekstradimet ishte prezantuar në prill dhe pas protestave të fillimit ishte pezulluar.

Por liderja e Hong Kong e cilësoi të papranueshme kërkesën për amnisti për manifestuesit e arrestuar nga fillimi i protestave. Një kërkesë e tillë sipas saj, bie ndesh me shtetin e të drejtës.

Manifestuesit u shprehën skeptikë pasi sipas tyre vendimi u mor me shumë vonesë. Ata këmbëngulën se do të protestojnë sërish duke mos u tërhequr nga kërkesa për një komision të pavarur hetimi për dhunën e policisë, dhe lirimit të më shumë se 1100 të arrestuarve. /ABC News Albania 24/7