Sondazh

Kush po e provokon tensionin në Shkup:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Plas” në GJKKO: Kolegia kundër Gjokës/ Çupi: Sulm i drejtpërdrejtë ndaj gjyqtares nga Berisha

schedule23:40 - 19 Maj, 2026

schedule 23:40 - 19 Maj, 2026

SPAK kërkoi mbylljen e dosjes hetimore për Irena Gjokën, por GJKKO ka rrëzuar Prokurorinë dhe ka kërkuar thellim të hetimit për gjykatësen më të goditur politikisht.

Në një vendim të paprecedentë, kolegia e Gjokës, Marinela Osmani, ka urdhëruar SPAK ta rihetojë Gjokën, duke i dhënë edhe 20 udhëzime. Vendimi trondit drejtësinë e re, duke treguar edhe njëherë të çarat serioze që ajo ka, dhjetë vjet pas miratimit të saj.

Analisti Frrok Çupi, i ftuar në emisionin “Ora e Fundit”, u shpreh se çështja ndaj gjyqtares Irena Gjokës po trajtohet më shumë politikisht sesa profesionalisht.

Sipas Çupit, vendimi ndaj saj është marrë në kushte jashtëgjyqësore dhe jashtëligjore, duke shtuar se është krijuar ideja që ajo duhet të dënohet me çdo kusht. Ai deklaroi se me këtë proces, sipas tij, është goditur vetë ligji dhe se faktorët që e kanë çuar situatën deri në këtë pikë mbeten ende aktivë.



Analisti theksoi se kreu i PD, Sali Berisha është përgjegjës për sulmin ndaj gjyqtares. Çupi tha se po përdoren defekte procedurale për të mbajtur gjallë çështjen ndaj Irena Gjokës, edhe pse ajo, sipas tij, është hetuar më parë.

Më tej Çupi, duke analizuar edhe “referendumin” e 23 majit në PD,  deklaroi se me këtë qasje kjo parti ka shkelur Kushtetutën Shqipërisë dhe se po dëmtohen standardet demokratike dhe pluralizmi.

“Kjo shpjegohet më shumë politikisht sesa profesionalisht. Ky vendim është marrë në kushte jashtëgjyqësore, jashtëligjore. Domethënë është marrë një vendim që Irena Gjoka duhet të dënohet me çdo kusht. Me këtë, ligji është goditur. Kjo e dëshmon se faktorët që e kishin çuar deri në këtë situatë Irena Gjokën janë ende aktivë. Është aktiv Sali Berisha dhe ky është një sulm që i bëhet drejtpërdrejt nga Sali Berisha.

Ka defekte në ndërtimin e tyre dhe këto po i përdorin këto defekte. Kërkohet të hetohet Irena Gjoka pasi është hetuar. Ngjan shumë me gjyqet e diktatorëve komunistë, që dikush ishte caktuar të dënohej.

Po shkelet Kushtetuta e Shqipërisë. Në PD po asgjësohen standardet demokratike dhe pluralizmi. Pa zgjedhje, në bazë siç i ka kushtet në partinë opozitare apo në çdo parti tjetër, do të thotë se është cenuar shteti dhe është cenuar pluralizmi. Berisha duhet të përgjigjet para ligjit dhe para Kushtetutës. Dramatike kur një kandidat mbyll derën për kandidatët e tjerë”, tha ai/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!