Plani i Tiranës, përgatitet rinovimi me talentet që mund të sjellin fitime

schedule10:17 - 25 Maj, 2020

schedule 10:17 - 25 Maj, 2020

Tirana vijon stërvitjen për të qenë gati për rifillimin e kampionatit, ndërsa drejtuesit po shohin nga e ardhmja. Bardheblutë janë shumë afër titullit kampion dhe konkurrimi në Champions League kërkon përforcime.

Jo vetëm kaq, pasi duhen “blinduar” edhe talentet e skuadrës. Jurgen Çelhaka është një prej tyre dhe Tirana do t’i ofrojë një kontratë të re. E njëjta gjë edhe për Marsel Ismajlgecin e krahut të majtë të mbrojtjes, teksa të dy janë të lidhur me klubin kryeqytetas deri në verën e vitit 2021.

Drejtori sportiv, Arbi Laçi, personi që besoi fort të këta dy futbollistë, të cilëve u dhuroi kontratat e para si profesionistë, ka përgatitur zgjatjen e bashkëpunimit me ta për disa vite të tjera dhe akordi i ri është çështje ditësh.

Çelhaka ia ka dalë të fitojë një vend titullari në mesfushë dhe numëron 23 ndeshje të zhvilluara këtë sezon (ka shënuar një gol në Kupën e Shqipërisë). Ai është një nga talentet më të mëdhenj të futbollit shqiptar. Vetëm 19 vjeç, por duket sikur luan prej një jete në Superiore. Kontrata e re do t’i sigurojë edhe një rritje të konsiderueshme rroge.

 

Jurgen Çelhaka

Minuta ka marrë edhe Ismajlgeci, i cili është aktivizuar në 14 ndeshje, teksa edhe ky ka shënuar një gol në Kupën e Shqipërisë. Të dy lojtarët janë shumë të rëndësishëm për Tiranën dhe firma në kontratat e reja do të vijë shpejt.

Çelhaka ka që tani interesim nga jashtë dhe disa klube të ndryshme po e ndjekin me interes. Shitja e tij në të ardhmen do të mbushë arkat e klubit kryeqytetas. Ndryshe ndodhi me Albi Dokën, i cili do të largohet si lojtar i lirë drejt Kroacisë. Tirana i ofroi rinovimin e kontratës në janar, por mbrojtësi i djathtë nuk pranoi.

Gjithsesi, kjo nuk ndikoi aspak në marrëdhënien e tij me klubin. Lojtari që mbush 23 vjeç në qershor, vazhdoi të aktivizohej dhe Tirana po e shfrytëzon sportivisht deri në fund, ndryshim nga çfarë bëri Partizani me Esat Malën, i cili përfundoi shumë kohë në ekipin B prej “fajit” që nuk pranoi rinovimin e kontratës. /abcnews.al