Motivet e plagosjes me armë zjarri të 30 vjeçarit Egzon Gega pasditen e së martës në Lezhë nga 23 vjeçari Ledjon Ndoj, i cili ndodhet në arrati, nuk dihen ende. Gazetari Gjergj Figuri raporton se i plagosuri që mori dy plumba, një në shpatull dhe një në gjoks, nuk ka dhënë asnjë dëshmi për policinë.
Sipas policisë, 30 vjeçari dhe autori kishin pasur një konflikt mes tyre dhe ishin rrahur para ngjarjes. Pasditen e së martës, Egzon Gega, kishte shkuar për t’u sqaruar me të riun me të cilin është zënë, por pas takimit, është qëlluar menjëherë me armë zjarri pistoletë duke mbetur i plagosur rëndë.
Autori mendohet se nuk ka qenë i vetëm dhe është larguar menjëherë. Policia ka sekuestruar telefonin e 30 vjeçarit të plagosur për të parë nëse ka pasur komunikime mes tij dhe autorit që mund të hedhë dritë mbi motivet e kësaj ngjarjeje.
Ngjarja u shënua rreth orës 16:30 minuta në lagjen “Nënë Tereza” të qytetit të Lezhës dhe policia po punon për kapjen e autorit si dhe po heton mbi motivet e kësaj përplasjeje mes dy të rinjve./abcnews.al