Pjesë e një grupi kriminal në Itali, arrestohet 24-vjeçari shqiptar. Në pranga dhe 10 shtetas

schedule13:18 - 12 Shkurt, 2025

schedule 13:18 - 12 Shkurt, 2025

Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “SACRIPANTE.AL”, 24-vjeçari Klinder Luka është arrestuar në vendin tonë, për t’u ekstraduar në Itali.

Mësohet se ai është pjesë e një grupi kriminal në fushën e narkotikëve në Venecia.

Sakaq, gjatë operacionit u vunë në pranga në Itali dhe 10 shtetas të tjerë.

Njoftimi i Policisë:

Zhvillohet në Shqipëri, nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, operacioni policor ndërkombëtar i koduar “SACRIPANTE.AL”.

Operacioni, i iniciuar nga Prokuroria e Venecias, në vitin 2022, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e narkotikëve.

Kapet në Shqipëri, një shtetas i akuzuar për pjesëmarrje në këtë grup.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, të kryera në koordinim me partnerët italianë, në kuadër të një procedimi penal, të iniciuar nga Prokuroria e Venecias, Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSh, në bashkëpunim me DVP Lezhë, me Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, me Zyrën e Ekspertit të Sigurisë Italiane dhe me Karabinierinë e Venecias, zhvilloi në Shqipëri, operacionin ndërkombëtar antidrogë, të koduar “SACRIPANTE.AL”.

Gjatë operacionit u lokalizua dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi shqiptar 24 vjeç.

Gjykata e Venecias ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, mbi dyshime për kryerje të veprave penale në fushën e narkotikëve, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, sipas parashikimeve të neneve 81, 110 dhe 73 të Kodit Penal italian.

Gjatë operacionit “SACRIPANTE”, u vunë në pranga në Itali, 10 shtetas.

Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët, për ekstradimin në Itali, të shtetasit të arrestuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!