Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin francez me inicialet Z.K., i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Sipas organit të akuzës, në kuadër të procedimit penal nr. 313/2026, shtetasi francez dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka përvetësuar të dhëna bankare të qytetarëve shqiptarë përmes skemave mashtruese online.
Hetimet tregojnë se autorët kanë përdorur karta SIM të regjistruara me identitete të tjera për të dërguar mesazhe mashtruese në masë.
Në këto mesazhe përdorej emri i Postës Shqiptare dhe qytetarëve u kërkohej të paguanin tarifa doganore për një paketë të pretenduar.
Njoftimi i plotë
Me kërkesë të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë u arrestua shtetasi francez Z.K., i akuzuar për veprën penale ‘Mashtrimi kompjuterik’ parashikuar nga neni 143/b/2 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.313/2026, dyshohet se ky shtetas në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka përvetësuar të dhënat bankare të shtetasve të ndryshëm shqiptarë, nëpërmjet përdorimit të kartave SIM të regjistruara me identitete të tjera dhe dërgimit masiv të mesazheve mashtruese me përmbajtjen “POSTA SHQIPTARE: Paketa juaj AL91359200 i nënshtrohet tarifave doganore (55 ALL). Ju lutemi, konfirmoni dorëzimin në: https://aktivpostalb.com”.
Më datë 26.05.2026 me kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë u vendos caktimi i masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues atë të “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.P.P.


