Përplasjet për listat, Rama: S’ka rrezik për negociatat! Me Merkelin jam në kontakt, s’ka asnjë problem

schedule20:42 - 18 Shtator, 2020

schedule 20:42 - 18 Shtator, 2020

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Gjermani, ndërsa u shpreh në një intervistë për “DW” se nuk sheh asnjë rrezik për negociatat që mund të kushtëzohen nga Gjermania për shkak të përplasjeve për reformën zgjedhore.

“Gjermania është një vend demokratik, ka vend për të gjithë zërat. Ajo që unë besoj është që në konkluzion, ne kemi bërë gjënë e duhur për vendin tonë, kemi bërë gjënë e duhur për sistemin tonë zgjedhor dhe demokratik, kemi bërë gjënë e duhur edhe në funksion të ambicies tonë për të konsoliduar më tutje procesin zgjedhor dhe procesin demokratik dhe jam i bindur që pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme që janë absolutisht legjitime, kjo nuk do të përbëjë asnjë arsye për të pasur ndonjë rezervë për Shqipërinë” tha Rama.

Ai foli edhe për një datë të mundshme për konferencën për negociatat. “Këtë do ta shohim në varësi të vendimit që do të marrë këshilli Evropian. Por ajo që është e padyshimtë është që ne po ecim në mënyrë intensive në hedhjen e hapave të mëtejshëm dhe pavarësisht se çfarë do vendosë Këshilli Evropian, është një vendimmarrje që varet më tepër nga dinamikat e brendshme se çfarë bëjmë ne, ne do vazhdojmë me vullnet e durim. Ne shpresojmë që konferenca të ndodhë në fund të këtij viti por nëse jo vitin e ardhshëm. E përsëris është një çështje që ka të bëjë me dinamikat e Brendshme të BE”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shpjegoi se në Berlin nuk shkoi për të takuar Angela Merkelin, por shtoi se është në kontakt më kancelaren. “Nuk kam ardhur në këtë udhëtim për të takuar kancelaren, kam ardhur për të shkuar në forumin e politikbërjes dhe ndalesa mbrëmë në Berlin ka qenë për të nderuar për të nderuar ftesën e një përfaqësie të gjerë politikanësh dhe sipërmarrësish që dëshironin të ndanin me mua opinione dhe që kanë interes të vecantë për Shqipërinë. Me kancelaren jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe s’ka asnjë problem” tha Rama.

Kryeministri Rama ka folur edhe në lidhje me propozimin që ka bërë deputeti norvegjez që presidentit të SHBA-së, Donald Trump t’i jepet Çmimi Nobel për Paqen. Ai tha se nuk i takon atij që ta përcaktojë fituesin, por ky vendim i takon komisionit të Çmimit Nobel. “Këtë e di komisioni i Çmimit Nobel, unë mendoj që nuk më takon mua të përcaktoj rezultatin e gjithë analizës që do të bëjë komisioni i Çmimit Nobel” tha Rama./ db/Abcnews.al