Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se lufta ndaj justifikimeve të institucioneve është një nga sfidat kryesore të qeverisë, duke theksuar se qytetarët presin zgjidhje dhe jo arsye përse problemet nuk zgjidhen.
Gjatë fjalës së tij para Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, Rama u ndal edhe te koncepti i “Besës”, për të cilin tha se nuk lidhet me një kërkesë për t’u besuar verbërisht, por me nevojën që puna e qeverisë dhe strukturave të saj të kontrollohet.
Ai paralajmëroi se, pavarësisht arritjeve të deritanishme, sfida e radhës është që administrata dhe qeverisja të jenë në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve. Kryeministri iu përgjigj edhe ironive dhe kritikave ndaj konceptit të “Besës”.
“Humbja e kontaktit me njerëzit e një shumice qeverisëse është një problem fatal. Është disiplinë e domosdoshme për të mos dalë me shqelma. Është disiplinë mandati që duhet të lidhë punën, praninë në territor, cilësinë e dëgjimit dhe përgjigjes për atë që dëgjojmë, punën me strukturën me njerëzit së bashku me hartë ku Finiqi dhe Konispoli i sotëm duhet të bëhet PS edhe aty.
Përgjigjet justifikuese të institucioneve janë shënjestra jonë. Nëse në fund të ditës do të jemi të paaftë për t’u ngritur në lartësinë e sfidës pasi e kemi nxjerrë Shqipërinë nga kalvari i mungesave kjo do të jetë sfida më e vogël. Duhet të ndryshojmë rendin e gjërave.
E kuptoj ironinë dhe përqeshjen që na bëjnë për Besën. Nuk është amani më beso se ky do ishte kulmi, por të lutem më kontrollo dhe janë dy gjëra krejt ndryshe. Të qenit i paragjykuar nuk duhet të të bëjë agresiv, je aty për të ndërtuar besim dhe për të dhënë empatinë. Në një territor të ngarkuar me mllef inat, duhet të mendosh si të sheh ai tjetri…Mllefi nuk është akumulim i natyrshëm që më pas shpërthen në pasqyra virtuale apo në hapësirën e grupit parlamentare që duhet të ketë vetëm një imazh që ë jetë mbyllja me nder një epoke dhe më pas kalimi i stafetës në një epokë tjetër, duhet të jetë vetëm një imazh”, tha ai.

