Autoritetet greke po hetojnë përfshirjen e të dënuarit shqiptar, Alket Rizai, në një incident me të shtëna armësh në një lokal plazhi në Anavyssos, në juglindje të Athinës. Rizai, i cili ndodhej në leje nga burgu i Domokosit dhe duhej të kthehej të hënën në mëngjes, dyshohet se ishte pjesë e një grupi që po qëndronte në një lokal plazhi.
Sipas dëshmive, pasi muzika u ndërpre për shkak të orarit të vonë, grupi vazhdoi të dëgjonte muzikë me zë të lartë në parkingun e lokalit, ku më pas nisi një përplasje me pronarin. Gjatë konfliktit, dëshmitarët pretendojnë se Rizai nxori një armë dhe qëlloi në ajër, raportojnë mediat greke.
Më pas, një punonjës afgan i lokalit dyshohet se nxori armën dhe qëlloi në drejtim të tij, shkruajnë mediat greke. Nga incidenti u plagosën dy punonjës, një 20-vjeçar grek në kyçin e këmbës nga copat e xhamit dhe një 41-vjeçar pakistanez, i cili u qëllua në pulpë.
Policia mbërriti në vendngjarje rreth orës 05:15, ku gjeti dy gëzhoja dhe gjurmë gjaku, ndërsa personat e përfshirë ishin larguar.
Të plagosurit u dërguan në Qendrën Shëndetësore të Kalyvias, ku dhanë dëshmi së bashku me pronarin e lokalit. Pas analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, autoritetet kanë konfirmuar praninë e Rizait në vendngjarje. Sipas hetimeve, ai është larguar nga lokali me dy persona të tjerë pas incidentit.

