Disa protestues shqiptarë në Nju Jork janë përplasur fizikisht me stafin e regjisorit serb Boris Maguarski pas shfaqjes së dokumentarit serb “Pesha e Zinxhirëve 3”. Dokumentari përmban propagandë serbe dhe mbështetet dhe financiarisht nga presidenti Vuçiç dhe ministri i Jashtëm Daçiç.
Shfaqja e filmit dokumentar “The Weight of Chains 3”- “Pesha e zinxhirëve 3”, që sipas regjisorit serb Boris Maguarski, paraqet mënyra aktuale me të cilat se si serbët mund të rebelohen kundër padrejtësive të sistemit në të cilin jetojnë, nuk është pritur aspak mirë nga shqiptarët e Amerikës, të cilët për rreth dy orë protestuan para kinemasë SVA, në qendër të Nju Jorkut.
Dokumentari në fjalë zgjatë 54 minuta dhe është realizuar në Shtator të vitit të kaluar. Për filmin dokumentar reaguan edhe autoritet e Kosovës duke dënuar faktin se në këtë dokumentar Kosova paraqitet me një imazh të keq.
Nga ana tjetër Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shefi i dilomacisë Ivica Daçiç, Marko Gjuriç, drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën, e kanë mbështetur këtë dokumentar dhe financiarisht.
Dhjetëra forca të policisë njujorkeze, rrethuan dy anët e rrugës përballë kinemasë duke vendosur barrikada dhe bënë thirrje me megafonë për qetësi.
Por dhe nga stafi i regjisorit serb pati provokime pasi ata iu afruan protestuesve shqiptarë duke shpalosur një flamur serb, ku në qendër të flamurit, ishte vizatuar harta e Kosovës, me mbishkrimin ne gjuhën serbe, me germa të mëdha “Nuk e japim (Kosovën)”.
Në një moment tensioni njëri prej protestuesve arriti të çajë kordonin e policisë, dhe u përplas fizikisht me një pjesëtar të komunitetit serb.
Marko Kepi, presidenti i organizatës “Rrënjët Shqiptare”, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale organizoi këtë protestë, komunikoi vazhdimisht me policinë, dhe dha deklarata për mediat njujorkeze duke sqaruar qytetarët për arsyet e protestës