Një aksident i rëndë është shënuar pasditen e kësaj të diele në aksin Pogradec-Qafë Thanë. Dy makina një “Toyota” dhe një “Hyndai” janë përplasur me njëra-tjetrën, me pasojë plagosjen e tre personave.
Gazetari Roland Beqiraj raporton se të plagosurit, dy drejtuesit e mjeteve dhe një pasagjer, janë dërguar në spitalin e Pogradecit.
Dyshohet se drejtuesja e mjetit tip Toyota të ketë humbur kontrollin duke kaluar në korsinë tjetër të rrugës, ku edhe është përplasur me mjetin ku udhëtonin dy shtetasit anglezë.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 17:50, në aksin rrugor “Pogradec-Qafë Thanë”, në afërsi të fshatit Udënisht, automjeti tip “Toyota” me drejtuese shtetasen E. B., është përplasur me automjetin tip “Hyndai” me drejtues shtetasin D. R.
Si pasojë e përplasjes kanë ngelur të dëmtuar drejtuesja e automjetit tip Toyota, si dhe drejtuesi i automjetit tip Hynday dhe një pasagjere në këtë automjet, të cilët ndodhen në spital për mjekim.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakun e aksidentit. /abcnews.al


