Përmbytje në rrugët e Durrësit, bllokohet kalimi i këmbësorëve

schedule09:25 - 19 Mars, 2018

schedule 09:25 - 19 Mars, 2018

 

Durrsakët kishin kohë pa parë një përmbytje të tillë. Reshjet e shiut shkaktuan një situatë shumë të rëndë në çdo rrugë e lagje. Lëvizja e mjeteve është bllokuar për disa orë, kurse uji vazhdon të jetë prezent në pjesën më të madhe të qytetit dhe të periferisë.

Uji mbuloi çdo gjë. Rrugë dhe lagje të pakalueshme. Reshjet e shiut me intisitet të lartë rikthyen përmbytjet në qytetin e Durrësit. Lëvizjen e këmbësorëve dhe qarkullimi i automjeteve u bë i pamundur.

Situata më e rëndë ishte pranë rrotullimit tek stacioni i Trenit, rruga pranë stadiumit, shëtitorja “Taulantia” si dhe në rrugën “Aleksandër Goga”. Këtu uji kaloi lartësinë e trotuarëve, duke u futur deri në katet e para të bizneseve apo banesave.

Edhe nënkalimi si pjesë e projektit “Veliera” u përmbyt. Një automjet i repartit të zjarrfikëses po punon për largimin e ujit.

Prezencë të ujit ka dhe në zonat periferike, tradicionalisht të përmbytura sa herë që ka reshje intensive, siç është ish-Këneta, Spitallë dhe në zonën e plazhit.

Reshjet intensive të shiut rikthyen rrëshqitjet edhe në kodër Currila. Masive dheu u shkëputën, duke përfunduar në rrugën që lidh shëtitoren me Currilat. Lëvizja e mjeteve u bllokua dhe në funksion ishte vetëm një krah i saj.

Grupe pune të shtabit të emergjencave ndodhen në terren. Por ndërhyrjet nga ana e tyre nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, pasi uji në Durrës do duhet kohë të ikë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!