Përfundon këndi i 25-tëe i lojrave Veliaj: Projekti do të vazhdojë në çdo lagje të Tiranës

schedule15:18 - 28 Tetor, 2017

schedule 15:18 - 28 Tetor, 2017

Bashkia e Tiranës dhe Ambasada çeke përfundojnë këndin e lojërave në sheshin “Bajram Curri”. Ky projekt do të vazhdojë në çdo lagje të Tiranës ka deklaruar kryebashkiaku Erion Veliaj. Bashkia e Tiranës u bë bashkë me ambasadën ceke për t’i dhënë banorëve të njësisë nr 7 në kryeqytet një kënd të ri lojrash. “Unë dhe Davidi jemi shumë të kënaqur sot, ky është këndi i 25-të i lodrave. Kemi gjetur disa miq fantastikë tek ambasadori çek dhe ambasada çeke, sepse ishim këtu vetëm para pak javësh dhe kjo hapësirë ishte një pirg i madh me dhera, një hapësirë komplet e degjeneruar; sot është një kënd fantastik”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Realizimi i këtij projekti, ashtu si dhe në çdo investim tjetër të bërë nga Bashkia e Tiranës, sipas kryebashkiakut Erion Veliaj ka ngjallur menjëherë interesin e banorëve, ndërsa u shpreh se shtimi i hapësirave rekreative po i jep mundësi të rinjve që të merren më shumë me aktivitete fizike dhe për të bërë një jetë më të shëndetshme. “Kur erdhëm ambasadori po më pyeste se herën e parë këtu nuk kishte fëmijë, po tani nga dolën gjithë këta!? Kjo është mrekullia e ndërtimit urban dhe infrastrukturës e këndeve të lojërave. Sa krijohet një hapësirë, dalin të gjithë fëmijët! Do të thotë që fëmijët, qytetarët, janë aty dhe ka ardhur koha që të kemi më shumë terrene të tilla për të lënë telefonin, kompjuterin, televizorin, për të kaluar më shumë kohë në natyrë dhe në ajër të pastër”, shtoi Veliaj. Më tej, ai bëri të ditur se projekti i ndërtimit të këndeve rekreative do të vazhdojë në çdo lagje. Për këtë, kryebashkiaku ftoi edhe përfaqësitë e tjera diplomatike që nën shembullin e Ambasadës çeke, të kontribuojnë për ta çuar edhe më tej këtë projekt. “Më vjen mirë që e mbyllëm këtë muaj me këndin e 25 të lojërave, për të vijuar po në këtë zonë edhe me dy-tre të tjerë, edhe me fushat e basketbollit. Jam shumë i lumtur me mënyrën se si një premtim për të bërë një kënd lojërash tek Liqeni, pastaj nga një në çdo njësi, sot i ka tejkaluar pritshmëritë tona dhe do të doja që nën shembullin e ambasadës çeke, edhe të tjerë që duan të na japin një dorë, të ndajmë kostot, gjysmën Bashkia, gjysmën donatori, e të vazhdojmë kështu”, tha Veliaj. Ndërkohë, ambasadori i Republikës së Çekisë në vendin tonë, Jaroslav Ludva, nënvizoi faktin se projekte të tilla sjellin përmirësim të jetës së komuniteteve të banorëve. Në materialet filmike të shpërndara nga zyra e shtypit e bashkisë Tiranë tregohen ndryshimet që ka pësuar sheshi Bajram Curri. Është bërë i mundur rikualifikimi estetik i zonës, përmes shtimit të gjelbërimit, ndriçimit dhe ndërtimit të infrastrukturës çlodhëse për të rritur. Materialet e përdorura në ndërtimin e këtij sheshi janë të certifikuara sipas standardeve të BE-së, për të rritur sigurinë e fëmijëve që luajnë dhe për të mos veçuar qendrën nga periferia në ofrimin e shërbimeve.