Mes lutjeve, qirinjve të ndezur dhe urimit “Ju ndihmoftë Shna Ndou”, mijëra besimtarë iu drejtuan edhe këtë vit Kishës së Laçit. Të bashkuar nga besimi dhe shpresa për një mrekulli, ata përmbyllën pelegrinazhin e 13 qershorit në një atmosferë përkushtimi dhe reflektimi shpirtëror”
Në vendin e shenjtë, besimtarët ndezin qirinj në guvat e shkëmbinjve dhe luten në heshtje. Ndërsa shumë prej tyre, zgjohen që ta kalojnë natën në ambientet e Kishës, për të pritur meshën solemne të 13 qershorit.
Në Kishën e Shna Ndout, për të ndjekur ritualet fetare, besimtarët vijnë nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe nga vende të tjera të botës.
Tush Ramaj, së bashku me bashkëshorten e tij Monikën, ka ardhur nga Kosova për të kryer lutjet në Kishën e Laçit. Prej më shumë se 15 vitesh ata jetojnë në Gjermani, por kjo festë, sipas tyre, i gjen pothuajse çdo vit në Shqipëri.
Kjo ditë bashkon të gjitha grupmoshat. Besimtarët tregojnë se për çfarë luten më shumë, ndërsa përcjellin edhe urimet e tyre për ABC News.
Imzot Arjan Dodaj, i cili udhëhoqi meshën e shenjtë, u bëri thirrje besimtarëve të flasin “gjuhën e dashurisë” dhe të jenë shenjë shprese në një shoqëri që shpesh humbet drejtimin e saj.
“Kush e ka Ungjillin, nuk ka frikë të flasë gjuhë të reja: gjuhën e dashurisë. Të kërkojmë hirin, të gjejmë lumturinë në dashuri dhe të jemi ogurmirë në këtë shoqëri që shpesh e humb busullën.”
Kisha e Laçit daton që nga shekulli XIII. Shna Ndou, ose Shën Antoni i Padovës, është një nga shenjtorët më të dashur për besimtarët katolikë.
Tradita shekullore e pelegrinazhit është përcjellë brez pas brezi, pasi Shna Ndout i atribuohet një fuqi e veçantë ndërmjetësimi dhe shërimi shpirtëror për besimtarët.



