Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka mbajtur një konferencë për media pas aktgjykimit dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hamza ka thënë se vendimi i sotëm në Hagë ka goditur rëndë, sipas tij, rezistencën e popullit të Kosovës që luftoi për liri.
Ai ka shprehur solidaritet me familjet e ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se ato për gjashtë vjet kanë përballuar peshën e procesit gjyqësor.
“Familjet e tyre, të cilat për gjashtë vjet e kanë mbajtur peshën e këtij procesi. Të lënduar, të zhgënjyer, të mllefosur jemi edhe ne. Të gjithë ne, qytetarët e Kosovës dhe tërë shqiptarët në botë”, u shpreh Hamza.
Kreu i PDK-së ka kundërshtuar gjithashtu mënyrën se si është interpretuar vendimi, duke deklaruar se ai nuk është shqiptuar në emër të popullit të Kosovës.
“Vendimi i shqiptuar sot nuk është bërë në emër të popullit të Kosovës. Vendimi i shqiptuar sot është bërë kundër popullit të Kosovës dhe kundër shtetit të Kosovës”, deklaroi Hamza.

