Shqipëria i ngjan një vendi me bilanc lufte kur tregohen shifrat për sistemin e arsimit në katër vitet e fundit. Denoncimin në emër të Partisë Demokratike e bëri deputeti Luçiano Boçi, i cili bën përgjegjës ministren e Arsimit Lindita Nikolla dhe Kryeministrin Edi Rama.
Me 133 mijë nxënës dhe studentë që kanë braktisur shkollën në 4 vjet, arsimi është në pikën e tij më dramatike të 28 viteve pluralizëm, ndërsa Shqipëria i ngjan një vendi me bilanc lufte.
Kështu e përshkruan Partia Demokratike situatën e arsimit gjatë qeverisjes së socialistëve përgjegjësinë e të cilës ia ka faturuar konkretisht dy të zgjedhurve.
“Edi Rama dhe Lindita bëjnë sikur asgjë nuk ka ndodhur, pavarësisht se:
arsimi 9 vjeçar është braktisur nga 57,403 nxënës, arsimi mesëm nga 31,875 nxënës, arsimi i lartë është braktisur nga 44,425 studentë.
Edi Rama dhe Lindita Nikolla po e kalojnë në heshtje këtë dëm historik për të ardhmen e vendit, sepse ata janë përgjegjësit kryesorë për rënien drastike vit pas vitit të buxhetit të arsimit”.
Denoncimi nga selia blu vazhdon me premtimin e rilindjes se shpenzimet mesatare për një nxënës duhet të ishin mbi 92 mijë lekë, por buxheti këtë vit është më pak se ai i 2013-s: 68 mijë lekë për 1 nxënës në fillore dhe 72 mijë lekë për 1 nxënës në gjimnaz.
Kjo situatë duhet ndryshuar sa më parë sipas demokratëve të cilët në premtimet e tyre rendisin tekste falas për të gjithë fëmijët që ndjekin arsimin publik, pa përjashtim, mbështetje për nxënësit e familjeve në nevojë, financim për nxënësit e talentuar e të shkëlqyer dhe shfuqizim të Ligjit për Arsimit të Lartë duke i dhënë mundësinë çdo të riu të ndjekë studimet, pavarësisht gjendjes ekonomike të familjes së tij./abcnews.al