Është hera e gjashtë që mblidhen në protestë.
Edhe këtë të enjte, deputetët e parlamentit të Shqipërisë u desh të përdornin hyrjen anësore të godinës së seancave plenare. Kjo pasi protestuesit e thirrur nga opozita zunë atë kryesore prej orës 9:30 minuta të paradites.
Mungesa e kreut të opozitës së bashkuar Lulzim Basha për shkak të një vizite pune në Bruksel, nuk zbehu pjesëmarrjen e protestuesve.
Në krye të protestës, figura të Partisë Demokratike. Mes tyre, ish-kryeministri Sali Berisha.
Të përgatitur për t’i bërë ballë mjeteve të përdorura më parë nga policia për shpërndarjen e protestuesve, qytetarët hodhën në drejtim të forcave të policisë shashka dhe tymuese.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, kulmi i përballjes protestues – polici ishin shtyrjet trup më trup mes palëve.
Një thirrje, policia ia drejtoi Sekretarit të Përgjithshëm të Demokratëve, Gazmend Bardhi, për të larguar nga protesta, ata të cilët kishin vendosur maska, si dhe për të evituar dhunën.
Por gjesti i opozitës këmbënguli në një tjetër histori.
“Në telefonin tim apo stafit ndihmës nuk ka asnjë kërkesë për bashkëpunim nga policia. Ne jemi këtu duke protestuar në mënyrëpaqësore. Nuk ka pasur asnjë akt dhune ndaj asnjë polici sepse nuk kemi luftë me punonjësit e policisë. Ata janë qëytetarë të Shqipërisë që kanë të njëjtat halle si çdo qytetar shqiptar. Thirrja ime për punonjësit e ndershëm të policisë është që të përkrahin qytetarët shqiptarët dhe të mos jenë përkrah krimit të organizuar që drejton sot Shqipërinë. Protesta o të vazhdojë”, tha Bardhi.
Kjo deri në momentin që një informacion për shoqërimin në polici të disa protestuesve, ndryshoi vendndodhjen e zhvillimit të protestës. Pasi u siguruan se protestuesit do të lihen të lirë sapo të përfundojnë procedurat standarde të verifikimit nga ana e policisë, si e do tashmë edhe tradita e protestave opozitare, mbështetësit u pritën në selinë blu për një falenderim të fundit, nga numri dy i demokratëve Edi Paloka.
“Beteja jonë nuk ka mbaruar. Jemi nisur për një rrugë që nuk ka fund tjetër përveç se fitores. Nuk ka asnjë rrugë që të na ndalë në rrugën tonë për një demokraci të vërtetë në Shqipëri. Dua t’ju përshëndes edhe në emër të Bashës që vazhdon takimet në Bruksel, takime shumë të suksesshme, të cilat padiskutim janë pjesë e fitores që na pret”, tha Paloka./abcnews.al

