Paralajmëron OBSH: Ritmi i pandemisë po përshpejtohet, virusi po zhvendoset te moshat e reja

schedule13:18 - 20 Prill, 2021

schedule 13:18 - 20 Prill, 2021

Infeksionet nga Covid-19 janë rritur me një shpejtësi alarmante në 8 javët e fundit, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se vetëm javën e kaluar janë shënuar 5.2 milion raste të reja, numri më i lartë javor i shënuar ndonjëherë që nga fillimi i pandemisë. Vdekjet gjithashtu janë rritur për të 5-tën javë rresht, tha ai, ndërsa zyrtarisht në botë më shumë se 3 milion njerëz kanë vdekur nga Covid-19.

Tedros paralajmëroi që ritmi i pandemisë po përshpejtohet, pavarësisht procesit të vaksinimit.

“U deshën 9 muaj për të arritur 1 milion të vdekur, katër për të shkuar në 2 milion dhe tre muaj për të arritur 3 milion viktima. Këto shifra mund të na kenë mpirë, por secila vdekje është një tragjedi për familjet, komunitetet dhe kombet”, tha Tedros.

Drejtori i Përgjithshëm tha se, barra e përhapjes së virusit mund të zhvendoset drejt të rriturve të rinj. Ai shtoi se, infeksionet dhe shtrimet në spital midis njerëzve të moshës 25-59 vjeç po rriten me një shpejtësi alarmante, ndoshta për shkak të varianteve shumë të transmetueshme dhe rritjes së përzierjes shoqërore midis të rinjve./e.b-abcnews.al