Pandemia nuk ndal emigrimin e paligjshëm të shqiptarëve në Greqi

schedule21:49 - 18 Shkurt, 2021

schedule 21:49 - 18 Shkurt, 2021

Pandemia e COVID-19 -s nuk ka frenuar përgjatë vitit 2020 migrimin e paligjshëm të shqiptarëve drejt Greqisë. Sipas të dhënave të fundit, të publikuara nga policia greke, 2909 shtetas shqiptarë u dëbuan nga Greqia duke u riatdhesuar në Shqipëri vitin e kaluar, nga 3660 që ishte numri i përgjithshëm i dëbimeve në Greqi. Pas shqiptarëve numrin më të lartë të dëbimeve e kishte Pakistani me 189 persona, më pas renditej Gjeorgjia me 112 dhe Bullgaria me 64 persona. Shumica e shtetasve shqiptarë janë bllokuar në rajonet kufitare greke duke hyrë nga kufiri shqiptar përmes brezit të gjelbër në territorin grek pa dokumente të rregullta.

Sipas të dhënave të policisë greke ka pasur edhe raste të kontrabandimit të tyre nga shtetas shqiptarë apo grekë për t`i transportuar nga zonat kufitare në thellësi të vendit. Përpjekjet e shqiptarëve për të udhëtuar pa dokumente të rregullta në Greqi lidhen kryesisht, me punësimin sezonal të tyre. Prej fillimit të vitit të shkuar Greqia nuk lejon më aplikimet për azil për shtetasit shqiptarë, pasi Shqipëria u përfshi nga autoritete greke të emigracionit në listën e vendeve të sigurta.

Shumica e emigrantëve shqiptarë të parregullt që dëbohen nga policia greke me procedura të rregullta me palën shqiptare marrin gjoba në para edhe nga autoritetet shqiptare për kalim të paligjshëm të kufirit. Të dhënat tregojnë se në zonat kufitare shqiptare jo pak raste referohen nga policia shqiptare edhe në prokurori mbi bazë të listave të riatdhesimit që dorëzohen në kufi nga polica greke. Shtetasit që emigrojnë pa dokumente drejt Greqisë janë nga zona të varfa dhe të thella të Shqipërisë ku hapësirat për punësim nuk arrijnë të sigurojnë jetesën e familjeve të tyre. Udhëtimi i shqiptarëve në brezin e kufirit shpesh kryhet në të shumtën e herës me këmbë dhe zgjat edhe me ditë të tëra në terrene mjaft të vështira.

Numri i azilkërkuesve shqiptarë në Greqi ka qenë i lartë gjatë viteve të shkuara ndërkohë që në vitin 2020 asnjë shqiptar nuk aplikoi për azil pasi Greqia e përfshiu Shqipërinë në listen e vendeve të sigurta. Sipas Shërbimit grek për Azilin 3053 shtetas shqiptarë paraqitën vetëm gjatë vitit 2019 aplikimin për azil ndërsa numri i mbartur i kërkesave nga vitet e mëprshme ishte gjirhashtu i lartë.

Sipas të dhënave të Shërbimit grek për Azilin shtetasit shqiptarë ishin gjatë 2019 të pestët për nga numri i kërkesave pas shtetasve nga Siria, Afganistani, Pakistan dhe Iraku. Por shtetasit shqiptarë po për këtë vit u renditen të dymbëdhjetët për nga njohja e azilit, me vetëm 0,2 % të numrit të përgjithshëm të aplikimeve.

Të dhënat zyrtare greke tregojnë se shqiptarët paraqitën 2135 ankimime gjatë viti 2019 ndaj mosnjohjes së azilit nga autoritete greke, ndërsa një pjesë e rasteve vijojnë të mbeten ende të pashqyrtuara edhe për këtë periudhë. Situata e pandemisë ka vështirësuar paraqitjen e shtetasve shqiptarë pranë qendrave greke të azilit për ndjekjen e procedurave.

Herë pas here autoritetet greke kanë urdhëruar mbyllje të pjeshme të zonave dhe bllokime të lëvizjes në kuadër të masave parandaluese të përhapjes së COVID-19-s./ VOA