Vendimi i PD e LSI për të paraqitur kandidatë për KZAZ-të edhe pse nuk janë regjistruar si parti në zgjedhjet e 30 qershorit ka sjellë reagime. Opozita thotë se ka informacione për manipulime të procesit nga mazhoranca e prandaj e ndërmerr ketë akt. Por mazhoranca thotë se procesi zgjedhor në KQZ është mbyllur me regjistrimin e partive e kandidatëve. Kundër këtij vendimi të opozitës është shprehur edhe Astrit Patozi i Bindjes Demokratike.
Nënkryetari i PD Edi Paloka thotë se edhe pse pse opozita nuk është regjistruar në zgjedhje, ajo ka të drejtën ligjore që të ketë anëtarët e saj në KZAZ. Vendimin e mbështet tek pretendimet se opozita ka informacione për manipulim të zgjedhjeve vendore nga mazhoranca.
“E patë si u regjistrua? Edhe kur është vetëm në zgjedhje, arrin deri aty sa tenton ti manipulojë. Po mendojmë të dërgojmë komisionerët tanë në KZAZ se kemi informacione se KZAZ-të e sajuara kanë filluar që tani manipulimet. Është i vetëm, ka të gjithë komisionin dhe prapë kërkon ti manipulojë. Sa i përket partisë që përmendët, e dini kë kandidon në Kukës? Abedin Uruçi, kryetar i PS Kukës që do të garojë përballë kandidatit të PS”, u shpreh Paloka.
Por ndryshe mendon mazhoranca. Po në studion e ABC neës kryetari i komisionit të ligjeve Ulsi Manja, i konsideroi fjalë kafenesh të opozitës në rrugë pretendimet për manipulim të procesit. Juristi Manja thotë se formalisht procesi është i mbyllur në KQZ me regjistrimin e partive dhe kandidatëve që do marrin pjesë në zgjedhje
“Unë nuk dua të hyj në teknikalitete juridike. Procesi në këtë moment është ligjërisht i mbyllur. Kodi Zgjedhor ka afate për regjistrimin e kandidatëve, listave të këshilltarëve respektivë në 61 bashki”.
Kundër këtij vendimi të opozitës është edhe kreu i partisë më të re, Bindja Demokratike Ii cili përmes një statusi thotë se përpjekja për të penguar procesin zgjedhor me komisionerë drejtohet pikë së pari kundër Bindjes Demokratike, e cila duhet të ketë patjetër komisionerët e vet në atë process dhe së dyti, kundër procesit zgjedhor në tërësi. Bindja Demokratike i kërkon KQZ-së që të veprojë shpejt dhe me drejtësi për t’ua lënë zgjedhjet atyre që zgjedhin dhe zgjidhen dhe jo atyre që nuk duan të bëhen zgjedhje fare në Shqipëri.
Po cfarë parashikon Kodi zgjedhor? Për shkak se PD e LSI nuk kanë paraqitur deri tani kandidatët për 90 Komisionet Zonale të Administrimit zgjedhor, KQZ ka kryer zëvendësimin e tyre sipas ligjit. Por Kodi zgjedhor parashikon se partitë parlamentare që kanë të drejtë të paraqesin kandiddatura për KZAZ, mund të bëjnë një veprim të tillë, deri 30 ditë para zgjedhjeve dhe KQZ kryen zëvendësimin e tyre. /ABC news Albania 24/7