OSBE thirrje liderëve politikë

schedule23:08 - 10 Qershor, 2019

schedule 23:08 - 10 Qershor, 2019

Kryetari i radhës i OSBE-së, Ministri i Jashtëm dhe për Çështjet Evropiane i Sllovakisë, Miroslav Lajčák, shprehu sot shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Në një postim në rrjetet sociale, prezenca e OSBE-së në Shqipëri, thekson se këto zhvillime mund të thellojnë më tej krizën politike dhe të çojnë në ndalimin e funksionimit të institucioneve shtetërore.

Kryetari i radhës u bëri thirrje udhëheqësve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë legjislacionin në fuqi, si edhe rolet kushtetuese të institucioneve demokratike përkatëse.

“Ai theksoi pritshmërinë e tij se udhëheqësit do të veprojnë në përputhje me parimet demokratike dhe do të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar për përfaqësuesit e tyre, brenda kufijve kohorë të vendosur nga kuadri ligjor shqiptar”, thuhet më tej në deklaratën e OSBE-së.

Ndërkohë në fund Lajčák, shpreh besimin e tij se Shqipëria është e aftë ta trajtojë vetë situatën, brenda kornizës së saj kushtetuese dhe ligjore, dhe se do të gjejë një zgjidhje, e cila do t’i mundësojë vendit të përqendrohet në sfidat e rëndësishme për qytetarët e Shqipërisë./abcnews.al