Opozita në Kosovë kërkon të përfshihet në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë

schedule12:44 - 24 Maj, 2018

schedule 12:44 - 24 Maj, 2018

Mediat kosovare raportojnë se opozita në vend është e gatshme të përfshihet në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë, por vetëm në rast se presidenti Hashim Thaçi, nuk do të jetë më pjesë e këtij dialogu.

Partitë opozitare në Kosovë këmbëngulin që Presidenti Hashim Thaçi të mos jetë në krye të procesit të dialogut me Serbinë, në momentin që po afrohet dhe faza përfundimtare e tij. Sipas opozitës, Kuvendi është organi më i lartë, i cili duhet të vendosë për këtë çështje. Vetëm pasi që kreu i shtetit të tërhiqet nga kryesimi i dialogut dhe Kuvendi të marrë rolin e tij në këtë proces, opozita shprehet e gatshme të bashkëpunojë rreth krijimit të një konsensusi në raport me marrëveshjen përfundimtare që pritet të arrihet me Serbinë.

Avdullah Hoti, shef i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se dialogu duhet të udhëhiqet nga institucionet e shtetit dhe se si opozitë LDK-ja do të japë kontributin e saj. Por, meqenëse tani institucionet, sipas Hotit, po udhëhiqen nga një qeveri e pakicës dhe nuk kanë legjitimitet, është e pamundur të zhvillohet çfarëdo dialogu me Serbinë.

Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar një platformë për dialogun politik me Serbinë. Në platformën e hartuar, e cila pret miratimin e Kuvendit, roli udhëheqës në dialogun me Serbinë i besohet presidentit të shtetit.

Por, kjo qasje e Qeverisë vazhdon të mos pranohet nga opozita, pjesë e së cilës është edhe Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti Xhelal Sveçla nga Vetëvendosja tha për Radion Evropa e Lirë se presidentit Thaçi nuk i takon të udhëheqë këtë proces.

Deputeti Sveçla thekson se para se të fillojë një proces i ri i dialogut me Serbinë duhet bërë një dialog të brendshëm mes forcave politike të Kosovës, në mënyrë që të përcaktohet një kornizë e qartë e këtij procesi.

Po ashtu, sipas tij, do të ishte me rëndësi të bëhet edhe dialogu me komunitetet në Kosovë, pasi që, siç thotë ai, është një nga kërkesat kryesore edhe të partnerëve ndërkombëtarë, që të garantohet një e ardhme e sigurt për komunitetin serb që jeton në Kosovë.

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian pritet të vazhdojë në muajin qershor, ndonëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht data e takimit mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiç. /abcnews.al