Opozita jashtëparlamentare i drejtohet Metës dhe ndërkombëtarëve: Po rrezikohet stabiliteti

schedule19:26 - 13 Korrik, 2020

schedule 19:26 - 13 Korrik, 2020

Opozita jashtëparlamentare ka dalë në një deklaratë të përbashkët kundër nismës së kryeministrit Edi Rama për hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore.

Ajo se ditën e sotme kanë njoftuar presidentin Ilir Meta dhe ndërkombëtarët, duke paralajmëruar një kurs zhvillimesh të paparashikueshme politike në vend.

Opozita thekson se se kjo lëvizje nga ana e qeverisë po bëhet vetëm për pushtetin personal të Edi Ramës dhe është e motivuar nga frika e tij nga zgjedhjet.

Deklarata e plotë: Opozita e Bashkuar dënon me forcë tentativën e Edi Ramës për prishjen e Marrëveshjes së 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore.  Ky akt i paprecedentë prish konsensusin e arritur me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe BE, vë në rrezik stabilitetin e vendit, si dhe dëmton seriozisht shanset e Shqipërisë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Ky veprim diabolik po kryhet vetëm për pushtetin personal të Edi Ramës dhe motivohet prej frikës së tij nga zgjedhjet. Ai dëmton rëndë interesat e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë braktisur dhe tradhëtuar nga kryeministri në ikje, duke i lënë të vetëm përballë krizës më të thellë të pandemisë dhe atë ekonomike që është pasojë direkte e dështimit dhe papërgjegjshmërisë së tij dhe qeverisë së tij.

Kurrë më parë nuk ka ndodhur që të ndryshohet Kushtetuta e Shqipërisë dhe rregullat e lojës së një gare elektorale në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus mes palëve pjesëmarrëse në zgjedhje. Ky provokim i ulët dhe sjellje tipike prej autokrati që ka frikë nga zgjedhjet e lira e të ndershme, synon të nxisë konflikt politik në vend në prag të zgjedhjeve të ardhshme, që janë kyçe për demokracinë dhe ecurinë e Shqipërisë në rrugën e saj europiane.

Opozita e Bashkuar ka informuar zyrtarisht gjatë ditës së sotme Presidentin e Republikës dhe partnerët tanë strategjikë për këtë akt të paprecedentë që acaron më tej klimën politike në vend dhe e fut Shqipërinë në një kurs zhvillimesh të paparashikueshme.

Opozita e Bashkuar ka qenë dhe mbetet plotësisht e angazhuar në përmbushjen e thirrjes së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi për kodifikimin pa ndryshime të marrëveshjes së 5 Qershorit, sa më shpejt në Parlament.

Pak ditë më parë disa deputetë të opozitës parlamentare kërkuan disa ndryshime kushtetuese mes tyre edhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore si kusht për votimin e marrëveshjes së 5 qershorit.

Kjo pikë gjeti menjëherë mbështetjen e mazhorancës. Në një deklaratë për media, kreu i qeverisë Edi Rama tha se kjo bëhet për arritur në konsensusin e opozitës parlamentare për marrëveshjen e nënshkruar me atë jashtëparlamentare për miratimin e Kodit Zgjedhor.

Nga ana tjetër ndërkombëtarët kanë kërkuar votimin e Kuvend të marrëveshjes së 5 qershorit pa vonesa dhe pa kushte shtesë pasi kjo do të minonte rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE./abcnews.al