Dogana e Durrësit, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, ka bllokuar gjatë ditës së sotme një sasi lënde narkotike të dyshuar si kokainë, katër gurë të çmuar të dyshuar si diamante, si dhe një aparaturë elektronike për detektimin e metaleve të çmuara.
Sipas informacionit zyrtar, zbulimet u realizuan gjatë disa kontrolleve të ushtruara në Portin e Durrësit mbi automjete dhe udhëtarë të mbërritur nga Italia.
Gjatë kontrollit të një automjeti që kishte mbërritur me tragetin e linjës Ankona–Durrës, autoritetet konstatuan një valixhe që përmbante një aparaturë për detektimin e metaleve të çmuara, së bashku me disa aksesorë të montueshëm.
Në një rast tjetër, gjatë kontrollit fizik të një shtetasi që udhëtonte me një automjet të ardhur nga Italia, u gjetën katër paketime transparente që përmbanin gurë të ngjashëm me diamantet.
Ndërkohë, në një automjet tjetër, shërbimet e kontrollit zbuluan një sasi të dyshuar lënde narkotike, kokainë, e cila ishte fshehur në një veshje të vendosur në kabinën e drejtuesit të mjetit./abcnews.al


