Nxënësit e shkollës “Vasil Shanto” me laborator modern informatike

schedule15:02 - 18 Maj, 2018

schedule 15:02 - 18 Maj, 2018

Shkolla nëntë-vjeçare në Tiranë tashmë ka një laborator modern për të zhvilluar lëndën e matematikës. Ai u inaugurua nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ambasadorja e Greqisë në vendin tonë. Kryetari i bashkisë synon ta shtrijë projektin në të gjitha shkollat.

Të gjitha shkollat e Tiranës do të pajisen me laboratorë modernë për zhvillimin e lëndës së teknologjisë së informacionit. Këtë lajm për nxënësit e kryqyetetit e dha kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili bashkë me ambasadoren e Greqisë në vendin tonë, Eleni Sourani, ishin në shkollën nëntë-vjeçare “Vasil Shanto” ku përuruan laboratorin e ri të informatikës.

 “Jam shumë i lumtur që sot po hapim një laborator informatike, që vjen si një investim konkret me 14 kompjutera për klasën e informatikës në shkollën ‘Vasil Shanto’. Unë e di që Tirana ka 226 shkolla, por duke folur për të 226 nuk zgjidhim gjë, ama duke folur për secilën prej tyre e duke bërë çdo ditë nga një punë me miq që dhurojnë diçka konkrete, atëherë mund transformojmë çdo shkollë. Duam që ta vijojmë këtë edhe me donatorë të tjerë, në të gjitha shkollat e Tiranës, për t’i pajisur ato me laboratorë modernë”.

Një kontribut të rëndësishëm në përgatitjen e të rinjve për teknologjinë e informacionit do të japë edhe transformimi i Piramidës, e cila shumë shpejt do të kthehet në qendrën më të madhe rinore multifunksionale në rajon, duke shërbyer si një hapësirë për shkëmbim idesh e nismash, por edhe një inkubator për bizneset e reja në fushën e ICT dhe komunikimit.

 “Fëmijët do të mësojnë si të kodojnë, si të bëjnë softëare, si të zhvillojnë programe kompjuterike, çka besoj se duke pasur një ‘fidanishte’ e cila fillon në teknologji të informacionit në shkollë dhe duke finalizuar pastaj me një qendër të madhe siç do të jetë Piramida, kemi siguruar një infrastrukturë për gjeneratën e ardhshme të të rinjve në Tiranë”, deklaroi Veliaj.

Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Eleni Sourani vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës dhe jetëzimin e këtij projekti në fushën e teknologjisë informative, që do të përgatisë të rinjtë për të ardhmen./abcnews.al